Policia gjermane ka regjistruar 258 krime islamofobike në gjysmën e parë të vitit 2023, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas shifrave të publikuara në parlamentin gjerman, dhjetëra xhami u sulmuan midis janarit dhe qershorit të këtij viti dhe dhjetëra muslimanë u sulmuan fizikisht ose ngacmuan verbalisht në rrugë ose në vende publike. Në këto sulme u plagosën 17 persona.
Ministria e Punëve të Brendshme e Gjermanisë lëshoi shifrat në përgjigje të një pyetjeje parlamentare nga Partia e Majtë e opozitës.
Sipas informacionit të dhënë nga ministria gjermane, rastet përfshinin krime të urrejtjes, letra kërcënuese, sulme verbale dhe fizike, vandalizëm dhe dëmtim të pronës.
Rreth 124 nga këto raste janë raportuar në periudhën janar-mars të këtij viti, ndërsa 134 të tjera janë regjistruar në periudhën prill-qershor.
Ndërkohë që janë hapur hetime penale kundër disa të dyshuarve, njoftuan zyrtarë të ministrisë, deri më tani nuk është bërë asnjë arrestim.
Sipas shifrave, shumica e krimeve janë kryer në shtetet lindore të Gjermanisë, ku dhe është bastioni tradicional i partive të ekstremit të djathtë.
Por një numër i madh i krimeve islamofobike të urrejtjes u regjistruan në kryeqytetin Berlin dhe në qytetet perëndimore, respektivisht në Këln, Frankfurt dhe Mynih.
Viteve të fundit, Gjermania ka regjistruar rritje të racizmit dhe ksenofobisë, e nxitur nga propaganda e grupeve të ekstremit të djathtë, grupeve anti-semite dhe grupeve anti-muslimane, përfshirë partinë opozitare Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Gjermania me mbi 84 milionë banorë, ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore pas Francës. Sipas shifrave zyrtare, ajo është shtëpi e afër 5 milionë muslimanëve.