Greva e punonjësve të hekurudhave në Greqi në shenjë proteste kundër aksidentit hekurudhor në provincën veriore Larisa, ku humbën jetën të paktën 57 persona, është zgjatur edhe për dy ditë, njoftuan sindikatat.
Tri sindikatat kryesore që përfaqësojnë punonjësit e hekurudhave të vendit thanë në një deklaratë të përbashkët të premten se vendimi u mor unanimisht në prani të punëtorëve për t’u bërë thirrje të gjitha organeve përkatëse që të marrin menjëherë masat e duhura për të rivendosur sigurinë në transportin hekurudhor, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Nuk kemi më tolerancë për indiferencën e të gjitha organeve kompetente, të cilat qëllimisht kanë injoruar kërkesat dhe paralajmërimet tona për vite me radhë”, thuhet në deklaratë.
Sindikatat njoftuan gjithashtu një tubim protestues në kryeqytetin Athinë të dielën në mëngjes.
Kanali i lajmeve 902.gr raportoi se në tubim do të marrin pjesë edhe sindikata të ndryshme të zejtarëve dhe punëtorëve.
Të premten, ministri i ri i Transportit, Giorgos Gerapetritis, njoftoi krijimin e një komiteti të posaçëm për të hetuar aksidentin.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve AMNA, komisioni është udhëzuar që të përfundojë punën e tij sa më shpejt të jetë e mundur dhe të kërkojë ndihmën e çdo stafi teknik, ekspertësh apo të tjerëve që ai e sheh të nevojshme./FolDrejt/