Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka thënë se deri në fund të vitit 2023, rritja ekonomike në Kosovë pritet të shënohet 3,4 për qind ndërsa në vitin 2024 parashikohet që ajo të jetë prej 4,2 për qind.
Në konferencën e fundvitit duke prezantuar punën njëvjeçare të BQK-së, Ismaili, tha se Banka Qendrore me sukses ka arritur t’i zbatojë objektivat e parapara të saj, derisa theksoi se sistemi financiar në vend është i qëndrueshëm, stabil, likuid dhe mirë i kapitalizuar dhe cilësia e aseteve është adekuate, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Rritja ekonomike për fund të këtij vit pritet që të arrijë 3,4 për qind. Kurse projeksionet tona për vitin 2024-2025 janë 4,2 përkatësisht 4 për qind. Sa i përket inflacionit, në nivele të vitit mesatarja vjetore e inflacionit pritet që të mbyllet me 5,1 ose rreth 5 për qind. Pritjet pastaj për viti 2024-2025 janë që ky inflacion të zbresë në 3 për qind”, theksoi Ismaili.
Sipas tij, trendi rënës i inflacionit do të jetë evident, deri në kthimin në normalitet, në parametrat e pranueshëm gjatë vitit 2024-2025.
Eksporti dhe importi i mallrave dhe shërbimeve bashkërisht, ka shënuar rritje për vitin 2023. Ndërsa, sa i përket veçanërisht eksportit dhe importit në shërbime, shifrat tregojnë se eksporti kosovar ka vazhduar trendin rritës ku kryesisht dominohet nga turizmi dhe shërbimet e teknologjisë informative.
“Eksporti i shërbimeve për periudhën janar shtator 2023 arriti vlerën prej 2,4 miliardë euro, duke u rritur për 19 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rol kyç në këtë rritje të kësaj kategorie patën të hyrat nga shërbimet e udhëtimit, shërbimet kompjuterike, informative dhe të telekomunikacionit që kanë shënuar rritje të vazhdueshme në vitet e fundit”, shtoi guvernatori Ismaili.
Guvernatori Ismaili ka treguar se është hera e parë që dërgesat e mërgatës, deri më muajin nëntor 2023, tejkaluan vlerën prej 1,2 miliard eurove.
“Remitancat të pranuara deri në fund të vitit 2023, pritet të arrijnë vlerën prej 1,3 miliard euro duke shënuar rritje vjetore prej 10,5 për qind. BQK-ja parasheh që në vitin 2024, këto të shënojnë rritje prej 6 për qind dhe 6.1 për qind në vitin 2025”, shtoi tutje ai.
Ismaili ka folur edhe për hapat që ka ndërmarr BQK-ja në kuadër të luftës kundër parave të falsifikuara, ku tha se në plan afatgjatë kanë filluar inicimin për themelimin e Qendrës Kombëtare për Luftë ndaj Parave të Falsifikuara, për të cilën tha se do të marrin ndihmë nga Bashkimi Evropian.