Halim Halimi: Analizë Poezisë “Monumenti” të Aleksandër Pushkin
Në suaza të këtij eseu ne do mundohemi të bëjmë interpretimin dhe analizën e poezisë “Monumenti”, të Pushkinit. Poezia “Monumenti”, e autorit të mirënjohur rus, është njëra ndër poezitë më të veçanta të autorit, por edhe të letërsisë në përgjithësi, kjo për arsye të stilit, ritmit, motivit dhe natyrisht të vlerës artistike që e ofron autori. Kjo poezi në vetvete trajton një motiv unik për faktin se haset më rrallë e përshfaqur si vetëdije e vlerësimit të fuqisë krijuese të vetvetes që e bën autori për veprat e tij. Pushkini si njëri ndër krijuesit më të mëdhenj të letërsisë ruse, autor i një shumsie të veprave, kryeveprave të letërsisë botërore të cilat shërbenin edhe si modele shkrimi, obsesionimi madje për shumë krijues botëror të letërsisë në këtë rast ia vlen të vecohet Nikollai Gogoli, këto dhe vlerësime të tjera i dhanë mundësinë Pushkinit që të ketë një reputacion dhe një influencë jashtzakonisht të madhe tek lexuesit dhe favorizuesit e letërsisë së tij mirëfilli. Lavdia dhe vlerësimi për vlerat krijuese në të gjallët e tij krijoi vetëdijen, impresionin dhe mirënjohjen e autorit, ngase kjo i jepte një garanci dhe jetëgjatësi veprës së tij në botën e letërsisë. Ky shkak siç duket ishte një faktor i rëndësishëm shtytës për motivimin e shkrimit të poezisë “Monumenti”. Autori në suaza të kësaj poezie trajton një motiv tejet interesant në të cilin manifestohet rëndësia e krijimtarisë së tij e cila autorit do t’i siguroj përjetësinë nga veprimtaria e tij për tu kujtuar gjithmonë mes rreshtash e librash për çdo kohë, çdo lexues dhe çdo nacion. Fuqia krijuese e autorit ishte në një formë betonuar përgjithmonë në historinë e letërsisë, pavarsisht nëse kjo ndokujtë mund të mos i pëlqente, ai vetëm se kishte arritur të shndrrohet në monument të vlerave dhe kualitetit letrar në të gjallët e tij. Theksimi i rëndësisë së veçantë të veprave të tij ishte për shumë arsye dhe faktor qoftë ai kulturor, social, botëkuptimor, filozofik, artistik i modeluara si botë fiktive. Për të qenë më bindës dhe për të shmangur arbitraritetin në vlerësimet që iu ishin bërë për të cilat edhe vetë autori ishte mirënjohës padyshim lidheshin ngushtë me guximin, modelin e shkrimit, gjenialitetin e tij krijues dhe shume faktorë tjerë. Në disa vargje autori pohon se në t’vërtetë ato që e bënin të mundur një shkëlqim të veprave të tij ishin:
“Në shekullin mizor këndova për lirinë, Dhe për të mundurit kërkova veç mëshirë”,
këto indicje të themi kontekstuele të jetës së autori si një zë i fuqishëm në kohë mizorie, rreziku dhe veshtirësie në kërkim të së drejtës dhe lirisë si dhe mëshirës për të dobëtin bënin madhshtore veprën si dhe bartja e këtyre fenomeneve ne laboratorin e tij krijues në dhënien e identitetit letrar si dhe natyrisht ngritja e këtij emocioni dhe të drejte në nivel artistik (Eliot), jo thjeshtë për të ngelur si dëshmi e gjendjes së kohës, por për tu lexuar dhe studiuar në çdo kohë në shumë shtresimet e veprës në shumëdimensionalitetin e saj që shpeshherë e bën të pa kapërcyeshme: mjafton të kujtojmë “Eugjen Onjeginin”, që lexohet edhe sot me një interesim jashtëzakonisht të madh. Vlera artistike e artikuluar e realizuar në suaza të tekstit bën që vepra e Pushkinit t’i rezistojë kohës dhe e cila e bën krenar autorin i cili nuk heziton ta shfaqë pjekurinë dhe aftësinë e tij krijuese. Autori ndër të tjera vë në spikamë të jetuarit dhe jetën e njeriut në kuptimin universal të saj. Jeta e njeriut është tejet e shkurtër, por e mjaftueshme për të krijuar një imazh të mirë, solid dhe dobisjellës në favor të vetvetes, individit, grupit dhe shoqërisë, por gjithmonë kjo varet nga kahjet që ne ua japim jetës, nëse ne jetojmë çdo të mirë dhe çdo çast të jetës në mënyrë produktive, profitabile jetojmë një jetë jo të pavlerë dhe mund t’a arrijmë përjetësinë nga puna, përkushtimi që tregojmë në një dimension ose fushë përkatëse që na bënë të kujtohemi dhe lavdohemi përgjithnji në të mirë. Vendosja e përqasjes mes monumentit të tij dhe Aleksandrit që do frymojnë përgjithnjë, vetëm se secili monument do të ketë meritat dhe vlerat varësisht se cka ka kontribuar do të kenë simbolikat dhe jetëgjatësinë vetëm se gjykimet do të jenë të ndryshme nga historia dhe njerëzia ngase me Aleksandrin identifikohen lufta, vandalizmi, tmerri që në kuptim të figurshëm dhe autori luan me këtë pjesë duke mos i dhënë të drejtë këtij dimensioni jetësor të cilin e kishte realizuar dhe ndjekur Aleksandri, ndërsa me Pushkinin identifikohen dija, arti, humanja, filozofia, jeta dhe gjithë veprimtaria utilitariste njerëzore, humane dhe për këtë arsye shtatorja e autorit do jetë:
“më e lartë dhe me kok’ të papërkulme”.
Në mënyrë indirekte bëhet edhe portretimi i dy profileve të ekstremeve të ndryshme dhe një vetëdije që pretendohet të ngritet tek lexuesi si zgjedhje e modeleve jetësore (që e kemi më vonë tek Dostojevski). Një veçanti tjetër e poezisë që shfaq edhe vetëpëlqimin e autorit ndaj krijimtarisë së tij, dhe mostregim të modestisë siç veprojnë autorët tjerë, kujtojmë Kafkën, po e gjithë kjo realizohet aq mjeshtërisht në formë të një reciprociteti të nënkuptuar të shoqërisë dhe autorit i cili di të shmang narcizmin dhe mendjemadhsin duke e reduktuar maksimalisht por duke e dhënë ne formë njerëzore dhe artistike. Porosia në vargjet e fundit drejtuar muzave shpalosë një dimension ontik tjetër të vetëdijës së autorit të besimit në të cilën pohon:
“veç urdhërit hyjnor t’i bindesh”,
besimi në perëndi siç shihet edhe për Pushkinin përmban gjitha atributet e absulutizmit dhe përsosshmërisë të qenies si bindje e ushqyer e personalitetit të tij, natyrisht me hyjninë, Zotin, si qenie abstrakte: simbolizohet e drejta, përjetësia, plotfuqia dhe një mori atributesh që njeriu empirikisht i njeh nga besimi ose i kultivon.
“Nga sharjet mos ki frikë, Me budallenj mos u trazo”,
me këtë kategori të njerëzve autori identifikon anën e errët njerëzore, jo çdo njeri di të vlerësoj të bukurën si art dhe të mirën si etikë, gjithmonë do të ketë njerëz fatkeqësisht që do etiketohen me vese të tilla të cilat do ngrejnë kryet kundër veprimtarisë së tij me kundërpërgjegje e fyerjeve të natyrave të ndryshme, dhe mospërfilljes të njerzores, por mësimi më i mirë që autori ia jep muzës është në një formë injorimi i tyre ngase është e kotë ti luftosh, janë përbërës të shoqërisë të pashmangshëm, esencial dhe substancial të saj, andaj duhet anashkaluar dhe marrun si dicka që ndërlidhet ngushtë me natyrën njerëzore.
Ne gjatë poezisë shohim një status të dyfisht të realizuar si monument: monumenti si krijimtari e përgjithshme e autorit dhe monumenti që ngritet nëpërmjet poezisë. Pse? Sepse nga konstatime interpretuese në nxjerrem konkluza të cilat shquajnë erudicionin e autorit si nga empiria jetësore por edhe nga ajo e letrave te cilat artikulohen dhe sublimohen ndjeshëm brenda poezisë. Në poezinë në fjalë manifestohet dhe artikulohet dendur ndjenja e ekzistencës së qenies e cila dëshmohet nga ajo që është arritur si projektim I vetë jetës (Sartër). Mjeshtria e shkrimit të tij realizohet edhe në anën formale të poezisë, shkrirje formë përmbajtje. Poezia posedon pesë strofa me rimë të alternuar ndërsa në kuadër të aplikimit të figurave stilistike e hasim metoniminë dhe metaforën. Secila strofë segmenton diçka individuale kuptimore dhe përshfaqë fuqishëm vlerën tekstuale poetike./FolDrejt/