Përmbledhja poetike “Bëhu i bukur”, e autores Mimoza Ahmeti, është i shkruar kryesisht gjatë viteve 1982-88, me variante e variacione të botimit, shtimit e heqjes së poezive të caktuara. Kjo është një përmbledhje e cila vjen me një sensibilitet dhe standard tjetër të komunikimit e modelimit të tekstit poetik, realizuar me një potencial kreativ të mirëmenduar dhe mirërealizuar në diskursin poetik të veprës.
Nga: Halim Halimi
E gjithë kjo vazhdë e krijimtarisë dhe të të qenit ndryshe, vjen si vetëdije për letërsinë në kontekstin e sistemit politik që reflekton konsiderata të caktuara për prodhimin letrar të kohës. Mbi këtë logjikë dhe duke mirënjohur gjendjen e tillë statike të produksionit letrar, autorja ofron një refuzim estetik individual të asaj tradite të shkrimit, si dhe bën përpjekje për krijimin e risive letrare me ide novatore, bazuar në mendimin se letërsia nuk duhet t’i shërbejë sistemit ngase ajo nënkupton më shumë se aq. Autorja, për të hapur shtigje të reja ofron modelin e saj krijues, i cili tregohet mospërfillës ndaj konvencave dhe standardit të determinuar nga sistemi sociopolitik. Si vazhdimësi e kësaj, me një sharm të ri krijues sidomos në nivelin figurativ, autorja krijon përmbledhjen e saj e cila mund të lexohet në dy pamje: kontekstuale dhe universale.
Në pamjen e parë duke konstatuar dhe hetuar lidhjen e autores me aktualitetin dhe zhvillimet e realitetit, të vrojtuara dhe gjykuara nga ajo me intuitën poetike hetohet dhe reflektohet mbi gjendje e situata të caktuara internale e eksternale në tekstin poetik të cilat parimisht kushtëzohen interpretativisht, pikërisht nga këto elemente, t’i quajmë kushtimisht biografike. Si rezultat i kësaj, pamja e parë që është kontekstuale realizohet në poezi specifike dhe pjesë të cilat konotojnë historinë e përjetimeve të autores të cilat janë një kolorit aq i natyrshëm i të shprehurit saqë paraqesin një dramë në vetvete për mënyrën e përjetimit dhe realizimit artistik të veprës.
Pamja e dytë ndërlidhet me universalen si shtrirje e problemit të qenies në fenomene e ndjesi të cilat janë substancialisht humane. Në këtë plan autorja i qëndron më afër purizmit lirik e poetik teksa i shkruan dashurisë, frymës, jetës, vdekjes e kujtimeve, të cilat në parim ikin kah abstraktja e konceptualja e ku poezitë rezultojnë të jenë më meditative në aspekt emocional .
- Diskursi metaforik si vlerë poetike dhe ikje ndaj cenzurës.
Ndjesia e subjektit lirik lëviz duke u artikuluar me tone të përshkallëzuara në cikle të caktuara që vjen si revoltë për gjendjen sociopolitike e cila rezulton të jetë më emfatike, duke u prirur drejt prodhimt të ndjesive të caktuara që vijnë si trysni e jashtme nëpërmjet cenzurës që penalizon procesin e shkrimit si proces dhe mjet shprehës për autoren. Në poezitë e këtij libri hetohen fenomene të caktuara të cilat dërgojnë tek kërkesa për arritjen subjektive të së vërtetës, natyrisht nëpërmjet shprehjes poetike si vetëdije personale që i jep kuptim jetës dhe botës.
Poezitë në disa raste kanë impuls personal por më tepër shkojnë drejt një përgjithësimi impersonal dhe arrijnë të transformohen nga shqetësime personale në shqetësime nacionale, si një trajektore e vazhdueshme e kësaj zhvendosjeje, e reflektuar dhe e dhënë në një tablo sintetike si në poezinë “Ars Poetica”, e cila realizohet ne dy variante:
Ka ngrirë boja në shishe,
gishtërinjtë mpirë në xhepa,
mendimi – pezull në nerv
pa mundur të vijë gjer në buzë…
Kjo situatë e agresionit dhe presionit të vazhdueshëm të manifestuar në një kategori sociale, vjen si pasojë e ndrydhjes së kreativitet ku për pasojë fjala qëndron e stepur brenda qenies si mungesë guximi për shprehje. Të gjitha këto situata reale transformohen duke prodhuar sekuenca dramatike/poetike që dalin si impulse kreative të cilat i transcendojnë situacionet personale dhe i aksiologjizojnë universalisht . Ambienti dhe atmosfera që përjetohen si manifestim i kontaktit me realitetin, prodhon situata të pasigurisë, tmerrit dhe ankthit të vazhdueshëm duke materializuar situata paranojake të subjektit lirik në relacion me shoqërinë që e rrethon; kjo edhe si kërkim i vazhdueshëm i qenies për prehje shpirtërore.. Ikja nga realiteti ngelet gjithmonë si shpëtim, por ikja nga e vërteta gjithmonë si brejtje e ndërgjegjes. Kësisoj poezia “Letër mamkës”, në aspektin emocional shkon kah personalja dhe prodhimi i një situate shprehëse brenda një relacioni të ngushtë familjar, duke mos u rezervuar në pohimin dhe deklarimin e rrezikut që i kanosej shoqërisë:
Diç parandiej, mamka!
Kurrë shteti nuk ka qenë kaq përballë njeriut,
kurrë tradhtia e burrave nuk ka qenë më në modë,
kurrë gjumë më të rëndë nuk kanë fjetur netët
dhe gratë më të humbura, më të zbrazura.
Diskursi poetik osmozon mes territ – dritës si dy ekstremitete, e tanishmja është gjithmonë e zezë me nuanca pesimiste ndërsa vazhda e ndryshimeve vjen si dritë e optimizëm.
Identifikimi si një akter influencues i subjektit lirik përbën që të mbahet një qëndrim stoik përballë vorbullës së realitetit sociopolitik të një inercie shoqërore që përcakton ky diskurs: tradhtia, gjumi, nata, parandjenja e keqe, etj. Forca poetike e shprehjes për Mimoza Ahmetin ngelet edhe arma e saj e ndryshimit që i kundërvihet rrjedhës:
E dashur, dëgjomë pa shqetësim,
unë do t’i grij, do t’i grij, po të them,
si në makinën e mishit
në vargjet e mia.
Intimiteti si kapërcim nga eksternalja në internale, si ndijim dhe përjetim kulminant i emocionit, nuk diferencohet aspak nga tradita dhe mënyra e jetesës. Në realitet ajo ikën kah dashuria platonike por projektohet në rrafshin tokësor për faktin se shqetësimi ngelet tek siguria e individit i cili nuk mund të konkretizojë dhe diferencojë raportin me subjektin që prodhon ndjenjën e dashurisë nga ajo që i kanoset si armik i padukshëm e që mund ta vrasë nga hapi në hap. Andaj për Mimozën jeta dhe vdekja qëndrojnë krejt afër. Jeta që identifikohet me dashurinë dhe vdekja që qëndron me terrin, me natën, me një atmosferë të befasishme, ku e keqja mund të ishte kudo dhe kushdo:
“Druhem mos ndonjë natë, pas shpine,
më qëllon befas një dorë e zezë.
E ndiej, një natë yjesh ëndërrtarë
kanë për të më vrarë,
një natë yjesh dritëgëzuar…”
duke paraqitur njëherësh edhe dobsinë e individit para sistemit i cili viktimizohet për shkaqe arbitrare ose pothuajse të panjohura , ndërsa sistemi gjithmonë është dominanant karshi individit:
“Gazetat, opinionin do ta qetësojnë, sigurisht.
Vrasësi i vërtetë do të shpëtojë
dhe fare i qetë do të shëtisë kryeqytetit…”
Me sistemin janë edhe të gjitha instrumentet që e forcojnë dhe përbëjnë atë; në fragment specifikohen gazetat si një mjet i fuqishëm për të influencuar masat dhe për të amnistuar vrasësit e vërtetë.
E gjithë kjo trajektore e zhvillimeve, kapet nga syri i poetes dhe përjetësohet në jetën e saj dhe në vepër për t’u realizuar me një mprehtësi të përdorimit të figurës, të zhvendosjes së problemit brenda ambiguitetit. Fakti se u interpretuan disa nga këto poezi në kontekstin kohor/hapësinor, janë tendencë e zbulimit të po atyre goditjeve që ishin edhe intencë e autorës si demaskim dhe shpërfytyrim i sistemit komunist dhe tranzicionit të shoqërisë shqiptare.
Stili dhe figurshmëria janë vlerë e etabluar në veprën poetike të Mimoza Ahmetit duke realizuar një diskurs metaforik e metonimik si dy figura dominante të këtyre poezive. Shmangia ndaj cenzurës e kushtëzon poeten në prodhimin e një figurshmërie funksionale polivalente që në parim kishte natyralitetin dhe thjeshtësinë por që artikulonte një semantikë që konotonte në kuptime të shumta të cilat arriheshin falë përdorimit të figurës letrare. Në rradhë të parë aplikimi dhe modifikimi i figurave në tekstin poetik vjen si afinitet dhe mjeshtëri e konstruktimit të poezisë dhe vargut, ndërsa në planin e dytë realizohet si semantikë asociative latente brenda kuadrit metaforik.
- Shpërfillja e kanoneve – konceptimi i lirisë.
Pamja e dytë ka të bëjë me një shtrirje të përgjithshme si kalim nga individualja e nacionalja kah e përgjithshmja dhe universalja, ku në esencë lëvizet në motive dhe dukuri që kanë të bëjnë me njeriun dhe shoqërinë vështruar universalisht . Loja mes të kaluarës si traditë, të tashmes dhe të ardhmes është një gërshetim që lidhet me funksionin dhe përmbajtjen e jetës që i është dhënë asaj.
Nëpërmjet lirikës, duke i kënduar dashurisë, vetmisë, lumturisë, forcës të së brendshmes, kundërshtive të dogmës, moralit që i servohet individit nga shoqëria duke u marrë si i mirëqenë, i japin veprës një dimension të thellë të përmbajtjes dhe arritjes së impersonales.
Mimoza Ahmeti duke lëvizur me figurën poetike, shpërthen në pjesë të caktuara duke përdorur ironinë, sarkazmën për botën në të cilën jeton, ku në emër të së drejtës dhe së vërtetës abuzohet dhe cenohet liria e individit; dhe mbi konceptin e lirisë dhe interpretimin e saj, refuzohet çdo imponim që vie nga jashtë:
“Lërmëni të qetë!
Ç’më keni kapur kështu si fëmijë, si foshnjë,
ç’më keni ndrydhur krahët!
Ç’më keni rrethuar me mure, shtretër, libra-
të gjitha sendet të ftohta!
…
Lërmëni të arrij atë që dua,
sepse ajo që dua është jeta ime.”
Në këtë aspekt të diskutimit dhe konceptimit të lirisë dhe njohjes, kemi të bëjmë me një rrjet referencash që janë frymë filozofike e letrare drejt dekonstruksionizmit të mbetjeve që servohen për vlera pragmatike. Intuita e autores është në kërkim të vazhdueshëm për paqe me vetveten dhe ky meditim mbi jetën e dërgon në kontestimin e moralit të shoqërisë duke pohuar se vetëm individi ka afinitetin të krijojë botën dhe prehjen për vete. Çdo gjë tjetër është e ftohtë dhe e sëmurë.
Dashuria për autoren Mimoza Ahmeti është motivi më pikant dhe poenta e gjithë levërdisë jetësore për të cilën dhe me të cilën njeriu transformohet dhe vetë dashuria është poetike, si funksion e si përmbajtje. Dashuria idealizohet në superlativa duke u shkëputur nga pragmatika, duke u projektuar edhe si titull, “bëhu i bukur”, e duke konotuar në krijimin e një dashurie jashta të zakonshmes, një dashurie platonike që nuk e lejon konsumin e tepërt në kuptimin erotik:
“Nuk të kërkon cektësia, po thellësia.
Të dua të ndershëm, të pakfjalë e të mençur;
të lodhur nga puna, kurrsesi nga jeta!
Të jesh i pastër, të biesh erë ujë si guri!
Të pafund të dua, të kem ku të mas vetveten…”
Këtu asgjë nuk është a ariori e mirëqenë, gjithçka nisë nga hiçi, nga zero për të fituar përmbajtje të re të konsoliduar. Një individ është një botë më vete, një vepër arti që nuk duhet shpërfillur por duhet marrë në konsideratë dhe parë me sy tjerë jashtë skemës, ngase ajo që ndjejmë duhet thënë edhe po qe jashtë kontekstit; ngase nuk duhet të jemi të një shijeje sepse kjo botë është divergjenteve;
Kënga si kënga
me britmat e saj.
Ti mos këndo, më thua, në këtë zi.
Kënga nuk mbahet,
po dhe sikur të mbahej,
kam qejfin tim
dhe s’pyes asnjeri!
Njeriu nuk mund të definohet dhe të kanonizohet, ai e ka natyrën e tij fluide dhe e ka të qartë konceptin e lirisë që ia garanton dhe arsyeton veprimet që dalin nga natyrshmëria shoqërore./FolDrejt/