Ramush Haradinaj në një konferencë për media ka kërkuar rritjen e pagës minimale dhe që të kalohet ligji për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Ai shumën e ofruar për qytetarët në mbështetje të tyre, e ka quajtur shumë të vogël, transmeton Fol Drejt.
“Qeveria duhet të veprojë si qeveri e shtetit. Qytetarët kanë nevojë edhe për 1 euro, por nuk zgjidhet asnjë problem me masat që zgjasin vetëm 1 muaj. Është shumë e vogël shuma prej 100 euro që Albin Kurti të fshihet pas paaftësisë së tij për të rishikuar buxhetin që do të mundësonte zgjidhje të krizës financiare qytetare. Kjo shumë është e vogël që Kurti ta fsheh dështimin e tij për rritjen ekonomike dhe rritjen e pagave për të gjithë”, është shprehur Haradinaj.
“Të punësuarit në Kosovë kanë nevojë për paga të dinjitetshme dhe të përhershme dhe qeveria e vendit duhet që urgjentisht t’i rris pagat për të gjitha kategoritë. Ne propozojmë që paga minimale të jetë 370 euro, pagat s’kanë lëviz, s’ka rritje të pagave me vite. Qeveria duhet që urgjentisht ta kalojë ligjin e pagave me rritje prej 33 për qind të pagave për të gjitha skemat pensionale”, shtoi ai.
Duke vazhduar Haradinaj tha se duhet të zbritet TVSh-ja:
“Qeveria duhet të veprojë pa vonesë me zbrit TVSh-në për artikujt ushqimor dhe ta heq taksën për pagat nën 370 euro. Qysh sot të kalojë ligji për tërheqjen e trustit, të paktën 15 për qind dhe menjëherë pa vonesë me ua kthy paratë qytetarëve për faturat e fryra të rrymës”./FolDrejt/