Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me incizimet që u publikuan ku dëgjohet biseda mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila me ish-deputetin nga Lista Serbe, Sllavko Simiq, transmeton Fol Drejt.
Sipas Haxhiut, Kusari-Lila nuk ka bërë pazare e as nuk ka shantazhuar dhe nuk mund të frikësohet nga askush.
Për më tepër siç është shprehur Haxhiu, as ajo dhe as të tjerët nuk e kanë dëgjuar duke folur Kusari-Lilën me Radojiçiqin.
“Ju duhet ta kuptoni që Lista Serbe është një parti politike që përfaqëson komunitetin serb në kuvend, por fatkeqësisht në mënyrën më të keqe, sepse në vend që të përfaqësojë serbët e Kosovës, Lista Serbe që është themeluar nga partitë opozitare sot, i bindet Vuciqit dhe merret me kërcënime e shtantazhe”.
“E ato që janë publikuar, mendoj që janë publikuar për një arsye të vetme, sepse efekti i tyre ka qenë zero. Pra, Lista Serbe s’ka mundur ta shantazhojë e t’i bëjë presion as shefes së grupit parlamentar të VV-së, sepse po ta kishin efektin e tyre, po të shkonin përpara kërkesat e Listës Serbe, në këtë rast përmes Kusari – Lilës, ato nuk do të publikoheshin”, është shprehur Haxhiu.
“Radojiçiqi si kriminel nuk guxon të hyjë në territorin e Kosovës, sepse po të hyjë ai do të përballet me drejtësinë. Kusari – Lila nuk ka bërë pazare, nuk shantazhohet e nuk mund të frikësohet nga askush”.
“As unë e as ju s’e keni dëgjuar Kusari – Lilën duke folur me Radojiçiqin. Ju po i referoheni Simiqit. Nëse ju i besoni atij, nuk më vjen keq, unë s’i besoj Simiqit”, ka shtuar ajo më tej./FolDrejt/