Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka qenë pjesë e ekspozitës artistike të organizuar nga Qendra Burimore e Personave të Zhdukur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, përcjell Fol Drejt.
Haxhiu, në fjalën e saj, ka thënë se ka përmendur punën që është bërë deri më tash gjatë dy viteve për adresimin e krimeve të luftës, teksa ka kërkuar edhe nevojën e presionit ndërkombëtar mbi Serbinë, duke përmendur se Serbia është përgjegjësja e vetme për moshapjen e arkivave dhe moslejimin e gërmimeve në lokacionet e shënuara.
“Dita ndërkombëtare e personave të zhdukur me dhunë, u përmbyll me ekspozitën artistike të organizuar nga Qendra Burimore e Personave të Zhdukur (QBPZH), me ç’rast ishte edhe një panel diskutimi me temën “Arti është mjet për ballafaqim me të kaluarën”.
Panelistët folën për përvojat dhe punën e tyre të vlefshme në raport me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë ndërsa në cilësinë e pjesëmarrëses fola për rolin e institucioneve dhe punën që kemi bërë gjatë këtyre dy viteve për adresimin e krimeve të luftës sikurse edhe theksova nevojën e presionit ndërkombëtar mbi Serbinë me qëllim të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur me dhunë dhe që Serbia është përgjegjësja e vetme për moshapjen e arkivave dhe moslejim të gërmimeve në lokacionet e shënjuara.”, ka shkruar Haxhiu në një postim në profilin e saj zyrtar në Facebook, përcjell Fol Drejt.