Zëdhënësi i qeverisë franceze, Olivier Veran, në lidhje me zhvillimet në Gabon tha se “Franca dënon grusht shtetin ushtarak në Gabon”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke thënë se Franca po ndjek nga afër zhvillimet në Gabon, Veran tha: “Franca dënon grusht shtetin ushtarak në Gabon”. Ai tha se vendi i tij dëshiron që rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Gabon të zbatohen.
Në deklaratën nga Ambasada Franceze në Gabon në platformën e rrjeteve sociale X, iu bë thirrje shtetasve francezë në Gabon të qëndrojnë në shtëpi për shkak të ngjarjeve në vend.
Ushtarakët morën pushtetin
Një grup ushtarakësh, të cilët hynë në ndërtesën e televizionit kombëtar në orët e para të mëngjesit në vendin e Afrikës Qendrore të Gabonit, njoftuan se marrë administratën.
Ushtarakët njoftuan se zgjedhjet e 26 gushtit u anuluan dhe kufijtë e vendit u mbyllën.
Presidenti aktual, Ali Bongo Ondimba fitoi në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 26 gusht për herë të tretë.
Ali Bongo, 64-vjeç, mori detyrën në vitin 2009 nga babai i tij, Omar Bongo, i cili sundoi vendin për më shumë se 41 vjet.
Në orët e fundit të procesit të votimit në vend u vendos një shtetrrethim me arsyetimin e “dhunës” dhe ndërkohë që procesi i numërimit të votave vazhdoi pas zgjedhjeve u kufizua interneti.
Opozitarët reaguan ndaj praktikave të qeverisë dhe lideri i opozitës Ondo Ossa pretendoi se zgjedhjet janë manipuluar.