Ish-kryetari i Gjilanit nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri, me anë të një postimi në facebook, ka kritikuar kryeministrin Kurti në lidhje me dialogun me Serbinë, duke iu referuar kështu edhe situatës së krijuar pak kohë më parë në lidhje me targat, transmeton Fol Drejt.
“A e patë Kurtin si iku e si u fshehë pas hijes së madhe të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier?!
Kur e ka lutur BE kryeministrin e Kurti në vitin e parë të qeverisjes për të hyrë në dialog, ky i fundit ka thënë se nuk është prioritet i qeverisjes së tij.
Fillimisht ka kërkuar rishikim të marrëveshjeve, lexim të transkripteve e procesverbaleve, duke akuzuar rëndë qeveritë paraprake.
Prej prioritetit të shtatë, ky kryeministër e nxorri në prioritetin e parë dialogun me Serbinë dhe i pranoi të gjitha marrëveshjet, e duke hequr dorë krejtësisht edhe nga konfiskimi dhe gjobat për targat.”, është shprehur Haziri.
Tutje, ai ka përmendur edhe krizën që u krijuar më SHBA-të, për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me çështjen e targave, duke thënë se drama e kryeministrit Kurti i rrezikoi marrëdhëniet tashmë 32-vjeçare me SHBA-të, të ndërtuara nga ish-presidenti Rugova.
“Pse u dashtë kjo dramë nga Kurti, duke i rrezikuar seriozisht raportet me ShBA-në, të ndërtuara tash e 32 vjet më parë nga Presidenti Rugova, e pas dy ditësh të pranojë gjithçka?!
Çka të themi tash pos që me mashtrime perfide i fitoi zgjedhjet e fundit?!
Veç keni pengu për vizat, asgjë s’keni bërë për MSA e NATO përpos raporteve tê tensionuara me ta. Nuk keni prapa kujt të fshiheni!”, ka shtuar ai./FolDrejt/