Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeveritarët në lidhje me rritjen e tatimit në pronë.
Përmes një postimi në facebook, Hoti ka thënë se 85 mijë të punësuar nuk e dinë se sa do ta kenë pagën në shkurt, mirëpo e dinë se faturat e tatimit në pronë i kanë të dyfishuara.
Hoti është pajtuar se ligji e kërkon rivlerësimin e rregullt të vlerës së tregut të pronave, mirëpo ka theksuar se ky rivlerësim duhet bërë në kontekst të zhvillimeve ekonomike dhe sociale në vend, si duhet analizuar me kujdes se kur është koha e përshtatshme që kjo të reflektohet në faturat për qytetarët.
Postimi i plotë i Hotit:
“Qeveritarët e nisin vitin mbarë!!! I dyfishojnë faturat e tatimit në pronë, në veçanti për zonat urbane. Si arsyetohet kjo në krizën më të madhe të çmimeve në 15 vitet e fundit?!
85 mijë të punësuar nuk e dinë sa do ta kenë pagën në shkurt, por e dinë se faturat e tatimit në pronë i kanë të dyfishuara.
Ligji sigurisht se kërkon ri-vlerësim të rregullt të vlerës së tregut të pronave. Por, ri-vlerësimi bëhet në kontekst të zhvillimeve ekonomike dhe sociale në vend, si dhe analizohet me kujdes se kur është koha e përshtatshme që kjo të reflektohet në faturat për qytetarët.”/FolDrejt/