Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, i ka konsideruar si tallje tri seancat e caktuara për t’u mbajtur sot, duke konsideruar se është tallje me temat dhe me ata që preken nga këto tema.
“Ora 10:00: Ligji për pagat dhe ligji për zyrtarët publik, që prekin jetën e 85 mijë zyrtarëve dhe familjeve të tyre.
Ora 12:00: “Strategjia e energjisë 2022-2031”, tema më e rëndësishme e dekadës për secilin shtet, për qytetarët dhe për bizneset.
Ora 13:00: Seancë e re me një marrëveshje ndërkombëtare për kredi, shtatë projektligje, debati për raportin e Komisionit Evropian dhe një raport për një agjenci.
Për më tepër, janë edhe pesë apo gjashtë seanca të hapura që nga fillimi i sesionit vjeshtor të Kuvendit”, ka thënë Hoti.
Sipas tij kjo është joserioze. Njëkohësisht Hoti ka vlerësuar se me këtë qasje, mazhoranca tregon se nuk do konsensus me opozitën për temat e rëndësisë nacionale. As debatin e opozitës nuk duan ta lejojnë.
“Sa u përket deputetëve të mazhorancës, ata janë aty vetëm për të ngritur dorën kur u kërkohet, pa u marrë me përmbajtjen e asaj që votojnë”, ka shtuar Hoti./FolDrejt/