Deputeti nga radhët e LDK-së dhe njëherit ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është shprehur se nuk ka qeveri funksionale në Kosovë e as president që do të kujdeset që institucionet kushtetuese të jenë funksionale.
Me anë të një postimi në facebook, Hoti i është referuar falimentimit të disa bankave në SHBA dhe vështirësive aktuale në Zvicër, duke i lidhur me mjetet e investuara në Trustin Pensional, transmeton Fol Drejt.
“Disa banka në ShBA kanë falimentuar. Një bankë në Zvicër është në vështirësi.
Ndërkaq, mjetet e investuara të Trustit Pensional janë pa zot. Trusti nuk ka Bord për t’i tërhequr mjetet nga tregjet dhe fondet që janë në rënie. Humbjet janë me miliona. “, ka shkruar Hoti.
“Nuk ua dhanë një pjesë të kursimeve qytetarëve, siç u kërkua me projekligjin e inicuar me peticion nga qytetarët. Tani ato kursime po avullohen në tregje financiare pasi nuk ka kush t’i kthejë në Kosovë për t’i mbajtur si para të gatshme.
Qeveri funksionale Kosova nuk ka. Por nuk ka as President për tu kujdesur që institucionet kushtetuese janë funksionale.”, është shprehur tutje në postimin e tij./FolDrejt/