Përgjatë bisedës me gazetarët në Prishtinë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se është i shqetësuar për plagosjen e ushtarëve të KFOR-it në veri, dhe i dënon sulmet ndaj tyre.
“Por kjo nuk e mohon faktin që arsye se pse ushtarët kanë qenë aty, për ta ruajtur paqen në atë skenar, ka qenë vendimi i marrë nga Kurti për të tentuar që të sigurojë qasje në tri ndërtesat komunale, përmes forcës. Ky është vendimi që duhet të adresohet sa u përket uljes të tensioneve, dhe ne po kërkojmë diçka të tillë”.
Sipas Hovenierit, ulja e tensioneve në veri ka prioritet, e më pas zbatimi i Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Të dyja palët duhet ta zbatojnë atë në tërësi. Diçka e tillë është zgjidhje për veriun. Kjo është një prej arsyeve pse ne i kërkojmë Qeverisë që me urgjencë të ecë përpara në procesin e negociatave për Asociacionin, i cili do të ndihmojë për shumë aspekte që ekzistojnë në veri”. /REL/