Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka komentuar lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke thënë se është marrëveshje ligjërisht e obligueshme, të cilën Kosova e ka marrë përsipër.
Hovenier, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ka thënë se themelimi i këtij Asociacioni nuk ka opsion.
“Mbetet një qëndrim i qartë politik I SHBA-së. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe s’ka opsion. Është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme të cilën Kosova e ka marrë përsipër. Një marrëveshje ligjërisht e obligueshme që është konfirmuar nga Kuvendi i Kosovës. Shtetet nuk mund të vendosin se çfarë marrëveshje ligjërisht të obligueshme e implementojnë apo s’e implementojnë. Ato janë marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Kosova është një shtet që ndjek zbatimin e Ligjit”, u shpreh Hovenier.
“Kështu që pritja jonë është që Kosova e implementon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ne gjithashtu besojmë fuqishëm që është edhe në interesin e Kosovës që ta bëjë një gjë të tillë. Ky është një element i rëndësishëm për të përshpejtuar normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por pa marrë parasysh Serbinë, kjo është një gjë shumë e rëndësishme për Kosovën. Serbët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës, banorë të Kosovës, ata gëzojnë të drejtat në Kosovë, ata duhet të marrin të drejtat dhe mbrojtjen nga shtetit sikur të gjithë qytetarët e Kosovës”, shtoi ai./FolDrejt/