Ish-ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz bëri thirrje sot për shpërndarjen e Parlamentit izraelit (Knesset) dhe të fillojnë përgatitjet për zgjedhje të parakohshme në mes të krizës lidhur me reformat gjyqësore.
“Kjo qeveri nuk është e përshtatshme për të drejtuar vendin”, tha Gantz në një deklaratë, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“(Kryeministri Benjamin) Netanyahu duhet të shpërndajë Knesset-in dhe shteti i Izraelit duhet të shkojë në zgjedhje që do të mundësojë fuzionin e shoqërisë izraelite”, tha ai.
Izraeli është zhytur në trazira politike muajt e fundit lidhur me planin e qeverisë për reformat në drejtësi, të cilat opozita i konsideron si rrëmbim të pushtetit në favor të autoriteteve ekzekutive.
Netanyahu, megjithatë, këmbëngul se reforma do të përmirësojë demokracinë dhe do të rivendosë ekuilibrin midis degëve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të qeverisë.
Partia e Unitetit Kombëtar të Gantz-it zhvilloi bisedime me dyer të mbyllura me Partinë Likud të Netanyahut në përpjekje për të arritur kompromis lidhur me rishikimin e diskutueshëm të reformave në gjyqësor.
Të dy palët thuhet se janë afër marrëveshjes për një ngrirje 18-mujore të të gjithë legjislacionit të lidhur me rishikimin gjyqësor dhe për të ndryshuar një ligj që u miratua në fillim të kësaj vere, i cili revokoi “standardin e arsyeshmërisë”.
Në korrik, Knesset-i miratoi një projekt-ligj të diskutueshëm për të kufizuar “standardin e arsyeshmërisë”, për të cilin opozita thotë se do të kufizonte kompetencat e Gjykatës së Lartë.
Të dyja palët pritet të bien dakord për mbajtjen e Komisionit të Emërimeve në Drejtësi në formatin aktual.
“U vërtetua se shteti i Izraelit u kap nga ekstremistët ndërsa të moderuarit në koalicion heshtin”, tha Gantz./FolDrejt/