Ish-ministri Xhemail Çupi ka shkruar në Facebook se preokupimi kryesor i secilit prind është shkollimi dhe orientimi i fëmijëve.
Çupi na rikujton një këshillë nga Kur’ani, ku Allahu i Madhëruar na e tregon formën më të mirë të edukimit të fëmijëve.
Ky është postimi i plotë i ish-ministrit Çupi në Facebook:
Preokupimi kryesor i secilit prind është shkollimi dhe orientimi i fëmijëve të tyre që të përballen me jetën dhe vështirësitë e saj në aspektin ekonomik dhe financiar. Shumë prej tyre fokusin kryesorë e kanë te profesionalizmi dhe aftësimi i tyre për punë, duke anashkaluar tërësisht etikën, moralin, sjelljen shembullore, pra thjesht thënë edukimin e tyre, duke pretenduar se kjo detyrë ekskluzivisht i takon shkollës apo arsimtarit.
Në Kuran, përmes këshillës së Lukmanit drejtuar birit të tij, Allahu na tregon formën më të mirë të edukimit të fëmijëve tanë. Allahu e përshkruan këtë ngjarje me fjalët më të larta duke e cilësuar këshillën e tij si urtësi. Lukmani, pavarësisht idesë se a ka qenë pejgamber apo evlija, ai gjithsesi ka qenë i përzgjedhur i Zotit që këshilla e tij të ngelet si dëshmi (ajet) për gjithë njerëzimin deri në amshim. Duke qenë se ai gëzonte njohuri të thella të fesë, ishte normale që perlat e tij të urtësisë dhe dijes t’ja jepte pikërisht djalit të tij.
Ai i tha të birit:“ O biri im i dashur, fale namazin, inkurajo për të mirën dhe ndalo nga e keqja, pastaj nëse të godet diçka e keqe, përballoje atë me durim, vërtet, ky është thelbi i të gjitha punëve.” (Lukman, 17). Me fjalë të tjera, është një nga ato gjëra të nevojshme për të cilat njeriu duhet të ketë vendosmëri të patundur.
Vetëm në këtë ajet kemi me dhjetëra urtësi për të Zotët e mendjes. Ngelet që të meditoni! /FolDrejt/