Vuk Jeremiq nuk është lejuar të futet sot në Kosovë. Ish ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, është ndaluar, ndërsa për këtë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka dhënë një arsyetim të fortë, shkruan Fol Drejt.
Kryediplomatja Donika Gërvalla ka thënë se Jeremiq është prej atyre që e kanë ndihmuar Qeverinë e Serbisë ta përmbush “recetën e luftës” në Kosovë, si në shembullin e Rusisë në Ukrainë.
“Kosova nuk do të tolerojë urrejtjen dhe agresionin ndaj një shteti evropian dhe demokratik”, ka shkruar Gërvalla në llogarinë e saj në Facebook.
Ajo ka kërkuar ndihmë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Gërvalla u ka bërë thirrje miqve ndërkombëtarë që të vëzhgojnë me vëmendje veprimet e klasës politike në Serbi dhe në rajon.
“Radikalizimi i ish-drejtuesit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është vetëm një paralajmërim më shumë se oreksi i Serbisë dhe Rusisë për territore nuk është ngopur ende”, ka shtuar ajo.
Tutje, ka thënë se Rusia dhe Serbia nuk do të ndalen së krijuari gjithnjë e më shumë tensione në Ballkan “për aq kohë sa SHBA-ja dhe Evropa nuk dërgojnë sinjale të qarta dhe të fuqishme duke kërkuar me këmbëngulje zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për krizat dhe paqëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, pra duke kërkuar nga Serbia njohjen e realitetit të ri në Ballkan pas luftërave të saj shkatërruese”.
Pavarësisht këtyre lojërave të ulëta nga ana e Beogradit zyrtar, Kosova do ta ruaj pavarësinë – ka paralajmëruar ajo:
“Kosova dhe fqinjët e tjerë të Serbisë, të cilët ende nuk janë anëtarësuar në BE, as nuk janë sferë e ndikimit të Serbisë, dhe as nuk do të „riintegrohen“ ndonjëherë në „Botën Serbe“ të Vuçiçit dhe Putinit”, ka përfunduar Gërvalla. /FolDrejt/