Pas tërheqjes së Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, serbët e punësuar në polici dhe institucione të tjera, janë inkurajuar dhe kanë dhënë dorëheqje në mënyrë, pothuaj, kolektive, shkruan Fol Drejt.
“Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste. Megjithatë, Serbia nuk do të arrijë ta ndryshojë karakterin multietnik të institucioneve dhe ta cenojë paqen e sigurinë në Republikën e Kosovës” – ka thënë Presidentja Vjosa Osmani në një reagim të sajin, pas lajmit për braktisjen masive të institucioneve nga serbët.
Kryeministri Albin Kurti po ashtu ka theksuar se këto veprime po bëhen të nxitura nga Beogradi zyrtar, ndërsa ka kërkuar nga serbët e Kosovës të mos bien pre e propagandës së farkuar nga qeveria e serbisë.
“I ftoj të gjithë qytetarët serbë në Kosovë, që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë. Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Për më tepër ai i ka fajësuar presidentin serb Vuçiq dhe shefin e diplomacisë serbe Daçiq, se në veri po zhvillojnë betejën e tyre politike për pushtet.
“Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Milosheviqit, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish ministri i informatave të Milosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet.”
Ndërkaq nga Beogradi zyrtar, nuk e kanë fshehur qëndrimin, duke i inkurajuar serbët që t’i bëjnë këto veprime.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se ai i përkrahë këto veprime:
“Qëllimi i sotëm i serbëve për të mbrojtur Procesin e Brukselit, në radhë të parë të Asociacionit të Komunave Serbe, si i vetmi mekanizëm i garantuar për formimin e të drejtave kolektive të popullit serb në Kosovë, tregoi se vendimi paqësor dhe demokratik i serbëve për paligjshmërinë e vazhdueshme të Kurtit dhe shkelja e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit është e vetmja përgjigje e mundshme.”
Nga Policia e Kosovës, ndërkaq, kanë thënë se ndodhen në gjendje gatishmërie, pavarësisht asaj se tash në pjesën e veriut ka mungesë të zyrtarëve policorë./FolDrejt/