Në zonën kufitare të Maqedonisë e të Kosovës, në Bllacë të Hanit të Elezit, do të ekspozohen fotografitë e shkrepura në prillin e vitit 1999, në përvjetorin e 20-të të këtij eksodi.Në Bllacë gjithashtu më 10 prill do të vihet edhe gurthemeli i qendrës memoriale “Gjenocidi serb Bllacë”.Do të mbahet edhe një takim i poetëve, ku do të mblidhen 77 dashamirë të fjalës së shkruar dhe do të lexojnë poezi në kuadër të temës “Eksodi 1999”.
Ky përvjetor i veçantë do të shënohet edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Aty më 8 prill do të jepet premierë shfaqja “Bryma e vdekjes” e regjisores Burbubqe Berisha, tekst i Milazim Krasniqit.Përveç premierës, shfaqja do t’i ketë tri repriza gjatë muajit prill. Repriza e parë do të jetë më 9 prill, e dyta më datën 16, kurse e treta më 17 prill. Si premiera, ashtu edhe të gjitha reprizat do të fillojnë nga ora 20:00.
ITSH SHkup u bën ftesë publike Shqiptarëve : Më 10 prill 2019, ora 14, të gjithë në Bllacë!
Të nderuar,
Pas iniciativës dhe propozimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta – Prishtinë, Qeveria e Republikë së Kosovës ka marrë vendim që ta themelojë Qendrën Përkujtimore të Gjenocidit “Bllacë ‘99”.
Meqë kjo qendër pritet të realizohet edhe në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa Instituti jonë në Shkup, përmes departamentit të Muzeologjisë, do të jetë kujdestar shkencor për të, ftojmë të gjithë shqiptarët të cilët dy dekada më parë ishin kujdesur për bukë, ujë e strehim të vëllezërve të tyre të gjakut nga Kosova, që më 10 prill 2019 (e mërkurë), në orën 14.00, të vijnë në pikën kufitare “Bllacë” (në anën kosovare), ku do të hidhet gurthemeli i Qendrës dhe do të ekspozohet treni famëkeq i cili asokohe i kishte bartur mijëra shqiptarë deri në kufi.
Shqiptarët e Maqedonisë para 20 vjetëve e dëshmuan në vepër vëllazërinë ndërshqiptare, ndërsa tash do të duhet ta nderojnë ngritjen e kësaj qendre dhe të ndihmojnë që ajo të jetë konservimi më i mirë i kujtesës kolektive të të gjitha vuajtjeve shqiptare përgjatë historisë.
Shkup, 08.04.2019
Me respekt,
Dr. Skender Asani, drejtor