Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida inspektoi masat e sigurisë në qytetin Hiroshima në të cilin do të mbahet Samiti i Liderëve të G7, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Vëmendja në Japoni është kthyer në Samitin e Liderëve të G7 i cili do të mbahet në “Grand Prince Hotel” që ndodhet në qytetin bregdetar jugperëndimor Hiroshima.
Kryeministri japonez vizitoi qytetin dhe inspektoi forcat e sigurisë përreth hotelit ku do mbahet samiti. Ai dha udhëzim që t‘i jepet përparësi masave të luftës kundër terrorizmit.
“Si vend pritës, është detyrë e Japonisë të sigurojë që samiti historik të zhvillohet në mënyrë të sigurt dhe pa probleme. Suksesi ose dështimi i aktivitetit është mbi supet tuaja”, deklaroi Kishida.
Duke rikujtuar se Samiti i G7 është i shtati që Japonia do të presë, Kishida vuri në dukje se ky do të jetë samiti “më i rëndësishëm” në historinë e vendit nëse merret parasysh mjedisi aktual ndërkombëtar.
Kishida vizitoi edhe Tempullin Itsukushima i cili ndodhet në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe i cili planifikohet të vizitohet nga liderët e ftuar në kuadër të samitit.