Gabriel Jesus pranon se ecuria e tij prej pesë ndeshjesh pa gol e ka lënë atë të ndihet paksa konfuz – por është zotuar se do të rikthehet menjëherë në listën e rezultateve, shkruan Goal.com, përcjell Fol Drejt.
Sulmuesi i Topçinjve e filloi sezonin në formë të shkëlqyer, duke shënuar pesë gola në nëntë paraqitjet e tij të para për klubin. Por mungesa e golit në ndeshjen e së dielës gjatë barazimit 1-1 në Southampton do të thotë se Jesus nuk e ka gjetur objektivin që nga fitorja 3-1 kundër Spurs më 1 tetor.
I pyetur pse mendon se ka pasur vështirësi në javët e fundit, Jesus tha: “Nuk e di, vërtet nuk e di. Nëse do ta dija, do t’iu tregoja!
“Por e vetmja gjë që mund të bëj është të vazhdoj të përpiqem, të vazhdoj të luftoj, të vazhdoj të përmirësohem. Siç thashë, unë jam këtu për të shënuar gola, jam këtu për të ndihmuar ekipin me gola. Unë e kuptoj këtë. Sigurisht që golat do të kthehen së shpejti”.
Duke dhënë një pasqyrë se çfarë ndjesie ishte në dhomën e zhveshjes pas barazimit të së dielës në Southampton, Jesus shtoi: “Të gjithë ishin pak të mërzitur sepse ne e dimë se mund ta fitonim lojën. Krijuam shumë raste, por nuk po i përfundonim mirë. Përfshirë dhe mua, sigurisht. Mund të kisha shënuar një ose dy gola – dhe pastaj do të fitonim. Është e vështirë, është e vështirë, dhemb, por ne duhet të përmirësohemi dhe të kthehemi tek fitoret.”
Arsenali kishte qenë në një seri prej 27 ndeshjesh pa barazim në të gjitha garat përpara ngërçit 1-1 të së dielës në Southampton.
Sulmuesi i Arsenalit pritet të udhëtojë për ndeshjen e së enjtes mbrëma në Ligën e Evropës në PSV Eindhoven, por ka të ngjarë të emërohet në mesin e zëvendësuesve. /FolDrejt/