“Nëse Beogradit i bëhet e ditur se duhet të vendosë mes Moskës dhe Brukselit – dhe se BE-ja ofron më shumë se një perspektivë të errët pranimi – Vuçiç nuk do të hezitojë për asnjë moment”, shkruan gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung, raporton, The Geopost, përcjell Fol Drejt.
“Moska reagon me kërcënime ndaj indikacioneve se Beogradi po rishqyrton politikën e tij ndaj Rusisë”, shkruan gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung për ngjarjet e ditëve të mëparshme.
Kujtohet se në fillim të javës, zëvendësministri rus Aleksandar Grushko tha në Beograd se vendosja e sanksioneve kundër Rusisë do të ishte “vetëvrasje”, sepse shihet se vendet që kanë vendosur sanksione janë të kërcënuara nga një krizë energjetike dhe rritje të çmimit të ushqimit.
“Pas kësaj nuk qëndron një ndryshim në drejtimin e Beogradit,” shkruan gazeta, “por presioni i Brukselit ndaj këtij vendi kandidat për t’iu bashkuar linjës së politikës së jashtme të BE-së”. Kjo mund të ndalojë politikën serbe të luhatjes mes Lindjes dhe Perëndimit, e cila ka vazhduar që nga përfundimi i luftërave jugosllave”.
“Vendet e BE-së janë partnerët dhe investitorët më të rëndësishëm tregtarë për Serbinë, gazi vjen nga Rusia me zbritje dhe Kina ndërton ura dhe drejton miniera. Nga të tre partnerët, ushtria serbe furnizon me armë arsenalin ushtarak të saj që është gjithnjë në rritje. Por tani konflikti i mprehtë midis Perëndimit dhe Rusisë po e ngushton hapësirën e manovrimit të Beogradit”, thuhet në artikullin e ish-korrespondentit në Beograd, Andreas Ernst.
Aty kujtohet se gjithnjë e më shumë zëra, veçanërisht nga Parlamenti Evropian, po kërkojnë ndërprerjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë nëse Beogradi nuk e ndryshon kursin. Tutje shtohet se Serbia ka mbështetur të gjitha rezolutat që dënojnë agresionin rus në OKB, por refuzon të vendosë sanksione.
“Kështu, vendi është izoluar në Evropë dhe, si Hungaria fqinje, shihet në Bruksel dhe gjetkë si një element rebel”, shkruan gazeta e respektuar zvicerane.
Thuhet se presioni i BE-së zbulon dallime mes ministrave në Serbi. Kështu, ministrja Zorana Mihajlovic “dënon pa rezerva agresionin rus dhe thekson se bota është e ndarë në dy blloqe”. Nga ana tjetër, “ultranacionalisti” Aleksandar Vulin hedh poshtë “tradhtinë” e Rusisë dhe bën thirrje për t’i dhënë fund integrimit evropian.
“Pa dyshim, ajo që mendojnë apo thonë ministra si Mihajlovic apo Vulin nuk është vendimtare. Edhe në këtë çështje fjalën e fundit e ka presidenti Aleksandar Vuçiq. Dhe ai, duket se po e përgatit vendin për një ndryshim kursi”, vlerëson Ernst në artikullin e tij.
Atij i kujtohet “monologu tipik shumë i gjatë” i Vuçiqit, në të cilin ai la të kuptohet se Serbia do t’i rezistojë presionit derisa ai të bëhet shumë i madh.
“Ndryshimi i shpejtë në politikën e vizave serbe tregon se presioni perëndimor është efektiv në kontekstin e ri gjeopolitik,” vëren gazeta.
Domethënë, pasi qytetarët e Tunizisë, Indisë apo Burundit – të cilët nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në Serbi – përdorën gjithnjë e më shumë fluturimet për në Beograd për të shkuar në Evropën Perëndimore dhe për të kërkuar azil, Serbia filloi të kthejë vizat. Gazeta Neue Zürcher kujton se disa politikanë në Bernë apo Vjenë kanë insinuuar se politika e vizave serbe është në fakt “krahu i gjatë” i Kremlinit, i cili dëshiron të vërshojë BE-në me emigrantë përmes Serbisë. “Por doli të ishte një teori konspirative”, shkruan gazeta.
Sipas autorit, ndryshimi i politikës së vizave të Serbisë tregon se BE-ja ka ende shumë ndikim në Ballkan. “Por ajo do të duhej të ishte gati për të bërë kërkesa të qarta dhe për të ofruar shpërblime tërheqëse,” shton Ernst. Dhe kjo vlen po aq për çështjen e sanksioneve kundër Rusisë apo çështjen e Kosovës.
“Nëse Beogradit i bëhet e ditur se duhet të vendosë mes Moskës dhe Brukselit – dhe se BE-ja ofron më shumë se një perspektivë të paqartë pranimi – Vuçiç nuk do të hezitojë për asnjë moment”, përfundon teksti: “Vuçiq, si pothuajse të gjithë serbët, e di se përparimi ekonomik dhe politik i vendit janë në rrugën drejt Perëndimit.” /FolDrejt/