Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shpalosur raportin analitik lidhur me zhvillimet në Kuvendin e Kosovës gjatë sesionit pranveror me titullin “Ligjvënia mes shumë sfidave”, raporton Anadolu.
Nëpërmjet një konference për media, u tha nga KDI se raporti është rezultat i monitorimit sistematik fizik dhe elektronik të KDI-së.
Arbër Thaçi, hulumtues në KDI, gjatë interpretimit të të dhënave, tha se ky sesion është karakterizuar nga shumë sfida, përmbajtje të llojllojshme dhe dinamikë të luhatshme.
Ai tha se gjatë këtij sesioni, Kuvendi zhvilloi 49 seanca në tërësi, ku afërsisht gjysma e tyre ishin seanca plenare.
“Kuvendi gjatë kësaj periudhe miratoi gjithsej 44 projektligje përgjatë këtij sesioni mirëpo shumë prej tyre nuk i takojnë agjendës legjislative të vitit 2023, do të thotë vetëm 17 nga këto janë projektligje apo marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë përfshirë në agjendën legjislative të këtij viti të tjerat i takojnë agjendave legjislative të viteve paraprake”, theksoi Thaçi.
Në përqindje, ai tha se vetëm 13 për qind e planit legjislativ për vitin 2023 është përmbushur gjatë këtij sesioni.
Një nga problemet evidente gjatë këtij sesioni, sipas raportit, ka qenë mungesa e deputetëve që ka shkaktuar problemin e mungesës së kuorumit në seanca.
Në anën tjetër, hulumtuesja Violeta Haxholli, prezantoi të dhënat lidhur me funksionin mbikëqyrës të Kuvendit.
Sipas saj, në këtë sesion, deputetët parashtruan gjithsej 171 pyetje parlamentare. Megjithatë, ajo tha se numri i pyetjeve nuk ishte i kënaqshëm, duke pasur një mesatare të ulët për secilin deputet ndërsa, 82 deputetë nuk parashtruan asnjë pyetje parlamentare.
“Lidhur me përgjegjshmërinë e ekzekutivit, pra kryeministrit dhe ministrave ndaj deputetëve sa i përket përgjigjeve në pyetjet parlamentare, më mirë qëndron vetëm kryeministri i cili i është përgjigjur 17 pyetjeve të cilat i janë parashtruar atij, por ka pasur edhe ministra të cilët nuk kanë qenë shumë të përgjegjshëm ndaj pyetjeve të deputetëve, si ministri i punëve të brendshme dhe ministrja e jashtme të cilët nuk i janë përgjigjur pyetjeve edhe pse ato janë përsëritur seancë pas seance”, theksoi Haxholli.
Haxholli foli gjithashtu edhe për trajtimin e Reformës në Drejtësi nga Kuvendi, duke vlerësuar pozitivisht konsensusin mes partive politike për shqyrtimin e Vetingut, por duke treguar nevojën për të mirëmbajtur konsensusin dhe zgjeruar përkrahjen për këtë proces edhe tek partitë e komuniteteve jo shumicë.
Sa u përket zhvillimeve në Komisionet Parlamentare raporti bëri të ditur se ato mbajtën gjithsej 221 mbledhje, 10 dëgjime publike dhe pesë vizita në terren.
Raporti i KDI-së është rezultat i një hulumtimi që është realizuar në kuadër të projektit “Zgjerimi i hapësirës qytetare për reformën në drejtësi”.