Valon Berisha ishte njeriu që zhbllokoi një ndeshje që po komplikohej gjithmonë e më shumë dhe i hapi udhë fitores së Kosovës në transfertën ndaj Qipros. Mesfushori me eksperiencë lëshoi një goditje perfekte nga distanca dhe theu portierin qipriot, që deri atëherë ishte treguar perfekt.
Çfarë nuk shkoi mirë në pjesën e parë? E diskutuam këtë edhe në fund të pjesës së parë, pasi kishim shumë hapësira mes reparteve dhe nuk arrinim të rikuperojmë topin. Në pjesën e dytë mbajtëm pozicionet tona dhe u vendosëm mirë taktikisht, duke shtuar presingun dhe krijuar shumë raste. Jemi shumë të kënaqur që treguam fytyrën tonë të vërtetë në pjesën e dytë dhe morëm tre pikët, ndaj tani presim mbështetjen e të gjithë shqiptarëve në stadium. Është një fillim mjaft i mirë dhe shumë i rëndësishëm, në një transfertë të vështirë, ndaj ishim përgatitur 100% për të marrë fitoren.
Çfarë ju tha trajneri Giresse gjatë pushimit? Ishim pak të stresuar të gjithë, pasi nuk ishim grup dhe nuk bënim të njëjtën gjë në pjesën e parë. Mua më kërkoi të ruaj pozicionin tim dhe të mos lëviz shumë. Bashkë me Bledin bëmë më mirë në pjesën e dytë, duke ruajtur zonat tona. Kjo ishte zgjidhja taktike, që na solli edhe fitoren e ndeshjes.
Gjithashtu Amir Rrahmani u shfaq i lumtur për fitoren 0-2 të Kosovës përballë Qipros, që i mundësoi dardanëve startin perfekt në Nations League.
Kapiteni i Kosovës shpjegoi se çfarë nuk funksionoi në pjesën e parë, teksa u ndal edhe te duelet me Greqinë dhe Irlandën e Veriut, dy kundërshtarët e tjerë në Grupin 2 të Ligës C.
Përmirësimi? Kemi pak probleme kur shkojmë në presing lart, nuk e përballojmë gjatë gjithë kohës. Duhet të gjejmë një vijë të mesit, që të nisemi në kundërsulm kur rikuperojmë topin.
Kemi filluar mirë Nations League, tani kemi ndeshje me dy kundërshtarë më të fortë. Ndeshje shumë të vështira”, deklaroi kapiteni i Kosovës.
Edhe autori i dytë i golit Edon Zhegrova nuk i fshehu emocionet e fitores, ndërsa do të theksonte se tashmë gjithë vëmendja do të përqendrohet tek Greqia, pasi do të kërkohet maksimumi.
“Ishte shumë me rëndësi që ta nisnim me fitore, pasi ishte ndeshja e parë e edicionit. Më pas sigurisht që gëzohem edhe më shumë kur ndihmoj skuadrën me gola apo me asiste”, tha Zhegrova.
Ajo që bënte përshtypje, ishte që Zhegrova zbriti në fushë me numrin 9 në shpinë, teksa arsyen e kësaj zgjedhjeje e sqaroi vetë sulmuesi
“Kam zgjedhur numrin 9 sot për shkak të legjendës Fadil Vokrri dhe fitoren ia dedikoj atij”, tha sulmuesi i talentuar./abcnews.al/