Udhëtarët që harrojnë është përmbledhja e parë me poezi e autori premtues, Bleard Meha. Që nga vargu i parë i poezisë së parë e deri të vargu i fundit i poezisë së fundit, autori është në kërkim të vetvetes, kërkim që bëhet duke gjurmuar thellë në dije e ndërdije, në histori e në profeci, në ëndrra e në zhgjëndrra. Autori kërkon që ta ndërtojë karakterin e suksesin e vet, sukses që nuk kërkon të ndalet deri sa të arrijë Olimpin, si personifikim i të arriturës kulminante në këtë botë. Arritjen në Olimp autori e konsideron si sakrifikim i vetvetes për dije e dashuri.
Shkruan: Albin Mehmeti
Udhëtarët që harrojnë është përballja e njeriut me vetveten dhe tjetrin. Historia e njeriut të Bleardit në fakt është një histori lineare e njerëzimit, prej mëkatit prehisterik që autori e quan si pema e ligësisë e deri të mëkati modern, ku njeriu është shkatërrimtar i njerëzimit. Sipas vargut të Bleardit, njeriu është gjithherë në kërkim të rrugës së shpëtimit, orientimin e së cilës e di mirë, por që nuk pranon të drejtohet drejt saj. Për këtë shprehet: Po naiv jemi… se rrugën e dimë, e dimë nga t’ia mbajmë. Blerdi si alterego e njerëzimit do ta ketë para syve një betejë imagjinare mes dritës dhe errësirës. Në këtë betejë, që edhe vetë njerëzimi e di se do të fitojë drita (madje edhe shpreson në të), ai herë-herë bën tifo dhe mendjen e ka te bajlozi.
Tek Udhëtarët që harrojnë nuk është paraqitur vetëm ana e errët e njeriut. Ai di të dashurojë, madje edhe të sakrifikojë për dashurinë. Në poezinë Fantazi, që është ndër lirikat e dashurisë më të arrira brenda këtij cikli poetik paraqitet vrulli dashuror i dy të rinjve që jetojnë çastet e para të një dashurie që po lindte, por që nuk ishte jetëgjatë. Dikush duhet të sakrifikohej që kjo dashuri njerëzore dhe në pamje të parë si dashuri reale të shndërrohej në dashuri përtej njerëzore e ideale.
Udhëtarët që harrojnë nuk janë udhëtarë të thjeshtë. Ata nuk janë udhëtarë që kanë harruar orarin e udhëtimit. Ata janë vetë njerëzit. Ata janë unë dhe ti. Ata presin trenin, por e humbin atë duke u ndalur shumë pas kënaqësive mashtruese të kësaj bote. Rëndësinë e këtij treni, që në fakt është sinonim për jetën e shohin vetën pasi ta kenë humbur atë, apo siç shprehet Bleardi:
Vetëm pasi treni kalon
E shohim sa i gjatë ishte
Por i shpejtë si plumb
Ky njeri që humbi jetën, pret Apokalipsin. Ai e pret me frikë lindjen e diellit kah perëndimi. Por, ky njeri përsëri ka shpresë. Në thellësinë e tij, ai ka shpresë në mëshirën e Zotit në Ditën e Madhe. Për këtë të fundit, gjatë gjithë jetës, njeriu është në kërkim të rrugës së shenjtë, si e vetmja rrugë që do të shpie tek mëshira hyjnore.
Një nga motivet më të shpeshta në poezitë e Bleardit është edhe motivi i atdheut dhe heronjve. Në këto poezi, ai shfaq dashurinë e heronjve për vendin, dashuri që arrin deri në flijim. Për Bleardin, flijimi i tyre është mësim për të gjallët, mësim se si duhet jetuar për atdhe. Rikthimi i heronjve për t’u flijuar është thirrja e një të riu që ta duhet vendi. Kjo thirrje nuk është patetike e mesjetare, por thirrje për dashuri e sakrifikim duke kërkuar dije e duke shpërndarë dashuri për njëri-tjetrin.
Udhëtarët që harrojnë është hapi i parë i Blerardit në letrat shqipe. Botimi i librit të parë është lindja e një dielli të ri, dhe nëse thënia se dita e mirë shihet në mëngjes është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një diell që do ta ndriçojë letërsinë shqipe në përgjithësi dhe atë në Kosovë në veçanti./FolDrejt/