Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka refuzuar sërish propozimin e disa vendeve evropiane për pezullimin e dhënies së vizave turistike për qytetarët rusë në të gjithë Bashkimin Evropian (BE).
Në margjinat e takimit në Oslo me liderët e vendeve nordike, Scholz tha se ishte e rëndësishme të “thuhet se shumë refugjatë që ikën nga Rusia” janë kritikë të Kremlinit dhe se pushtimi rus i Ukrainës është “lufta e presidentit rus Vladimir Putin, jo e popullit rus”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“E rëndësishme është për ne të kuptojmë se ka shumë njerëz që ikin nga Rusia sepse nuk pajtohen me regjimin rus”, shtoi ai.
Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, tha se qytetarët rusë nuk duhet të lejohen të hyjnë në BE për sa kohë që ushtria ruse “po vret njerëz në Ukrainë”.
Vendet baltike anëtare të BE-së, Lituania dhe Estonia, tashmë kanë ndaluar lëshimin e vizave për turistët rusë dhe u kanë bërë thirrje vendeve të tjera të BE-së që të ndjekin shembullin e tyre.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, shkroi në Twitter javën e kaluar se “të vizitosh Evropën është një privilegj, jo një e drejtë njerëzore”./FolDrejt/