Lufta në Ukrainë ndodhet në një udhëkryq që mund të çojë në një marrëveshje paqeje në bisedimet me Rusinë ose një ofensivë të re ushtarake nga Moska.
“Jemi në një udhëkryq. Ose do të biem dakord në bisedimet aktuale ose rusët do të bëjnë një përpjekje të dytë [në një ofensivë] dhe më pas do të ketë përsëri bisedime”, tha të martën Oleksiy Arestovych, një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymr Zelenskiy.
Deklarata e tij vjen pasi një zyrtar i Ministrisë së Jashtme britanike tha se shpresonte që bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës të përparojnë drejt përfundimit të agresionit.
Por shtoi se pushtimi i Ukrainës nuk ka qenë aq i suksesshëm sa kishte shpresuar fillimisht Kremlini.
“Ne kemi parë shumë dezinformata që vijnë nga Rusia, kemi parë shumë pandershmëri që vijnë nga Vladimir Putin. Fakti i thjeshtë është se sulmi që ai mendonte se do të ishte kaq i lehtë, ka rezultuar të jetë gjithçka përveçse i lehtë. Ukrainasit – nga presidenti Zelenskiy tek ata studentë që janë regjistruar për t’u bashkuar me forcën e mbrojtjes – mbrojtja e vendit të tyre ka qenë e mahnitshme dhe ata e kanë detyruar Rusinë të rishqyrtojë sulmet”./FolDrejt/