Shruan: Shpat Krasniqi
Secili, që zgjohet më i pari në mëngjes, mendon e punon veçse për egon e vet. Po të ishte veçse për ego të vet, dakord. Ama, mendojnë e punojnë dhe për t’ia dashtë dikujt të keqen.
Tash e sa vite pasluftës, kemi pasë ngjarje nga më të ndryshmet, ku e kemi testuar veten.
Asnjëri s’ia mbante dorën tjetrit. Tregoheshim perçarës përherë. Si në gëzim, njashtu dhe në hidhërim.
Më shumë po zëjnë vend përuljet, lajkat, dinakëria, amoraliteti… sesa vlerat morale, humane, kombëtare a gjetiu.
S’e di nëse vjen ndryshe Dita e Kijametit, ama kur përfitimet e pandershme po përligjen duke shkel mbi rregullat e drejtësisë e mbi kushtetutën e vendit, atëherë Dita e Kijametit veçse ka ardhur;
S’e di nëse vjen ndryshe Dita e Kijametit, ama kur nderit, dinjitetit, humanitetit, respektit, tolerancës, solidaritetit e bashkëpunimit mes nesh dita ditës po i zihet fryma nga ‘sëmundja e asmës’, atëherë Dita e Kijametit veçse ka ardhur.
S’e di nëse vjen ndryshe Dita e Kijametit, ama kur papunësia, padituria e paedukata po konsiderohen angazhime të vogla me mençuri e përfitime të mëdha, atëherë Dita e Kijametit veçse ka ardhur;
S’e di nëse vjen ndryshe Dita e Kijametit, ama kur administrata shtetërore e ajo private është komercializuar dhe korruptuar tejmase, kur shëndetësia është mbush me kasap që të rrjepin për së gjalli për të holla, kur policia e gjykatat e shkelin ligjin sipas ajameve të tyre… atëherë Dita e Kijametit veçse ka ardhur.
S’e di nëse vjen ndryshe Dita e Kijametit, ama kur arsimi dita ditës po e humb cilësinë, vlerën e besueshmërinë dhe po shndërrohet në biznes për individët, duke shitur tituj, grada e diploma sikurse në treg… atëherë Dita e Kijametit veçse ka ardhur.
S’e di nëse vjen ndryshe Dita e Kijametit, ama kur mjetet e informimit janë politizuar tejmase dhe gazetarët po u thurrin hymne oborrtarëve shtetërorë duke shkelur me të dyja këmbët etikën e gazetarit, atëherë Dita e Kijametit veçse ka ardhur.
S’e di nëse vjen ndryshe Dita e Kijametit, ama kur politikanët gjithnjë e më shumë po biejnë nën ndikimin e substancës droguese politike për ta mbajtur karrigen me çdo kusht dhe për të bërë luftë frontale kundër interesave të përbashkëta çfarëdoqofshin, në favor të personales, atëherë Dita e Kijametit veçse ka ardhur;
[…]
Pyes veten, a mund t’i parandalojmë këto? A mos është vonë?
Po, mund t’i parandalojmë këto. Jo, asnjëherë nuk është vonë t’i parandalojmë këto.
Ama, si?
Ja si,
Pa i luftuar vendosshmërisht dhe pa ua shkul rrënjët tërësisht antivlerave dhe sëmundjeve të ndryshme çkadoqofshin ato, për të mos na rrethuar më kurrënjëherë, tjetër zgjidhje nuk ka të merr rrugë të hajrit ecja para e ynja.