Pas zhvillimeve të fundit në veri dhe vizitës që ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura serbe, Milan Mojsiloviq, kanë bërë ditë më parë në njësitë e Ushtrisë të vendosura në zonën e Rashkës, ka reguar KFOR-i.
Përmes një deklarate në facebook, KFOR, ka bërë me dije se Forcat e Armatosura Serbe duhet të kërkojnë leje në rast se afrohen 1000 metra pranë kufirit me Kosovën.
KFOR, ndër tjerash ka komentuar edhe vizitën e Vuçeviq në Rashkë, duke thënë se Forcat e Armatosura të Serbisë nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i për të lëvizur dhe për të kryer stërvitje brenda territorit të Serbisë.
“Pas raportimeve se ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura serbe, Milan Mojsiloviq, e kanë vizituar ditë më parë njësitë e Ushtrisë të vendosura në zonën e Rashkës, 2 kilometra nga vija kufitare me Kosovën. Është e dobishme të kujtojmë se Forcat e Armatosura Serbe nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i për të lëvizur dhe trajnuar në territorin serb”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
“Sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), vendosja e tyre, sipas marrëveshjeve ekzistuese, kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it për të shkuar në veri të Kosovës. KFOR-i, në përputhje me mandatin e tij, mund të angazhohet me përfaqësues legjitimë të komunitetit lokal në veri të Kosovës si pjesë e këtij procesi të pajtimit”.
“KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën në terren dhe aktivitetet përgjatë vijës kufitare, duke mbështetur dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës”, theksohet tutje në komunikatën e KFOR-it./FolDrejt/