Edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar në lidhje me rastin tragjik që ndodhi sot në QKUK, ku mbeti e vrarë një 35-vjeçare dhe foshnja e saj.
Sipas Abdixhikut, kjo humbje jete është një plagë që rëndon mbi të gjithë, transmeton Fol Drejt.
“Ende pa u bërë një javë nga vrasja e arsimtares së gjeografisë nga burri i saj në Prishtinë, një ngjarje tjetër trishtuese godet shoqërinë tonë.
Sërish një grua, në javën e fundit të shtatzënisë, bëhet viktimë e një krimi monstruoz. Kjo më s’është gjendje normale; e ne nuk mund të normalizojmë vetëm me reagime këtë alarm nacional që na shpërfaqet në mënyrën më çnjerëzore të mundshme para sysh tani nga dy herë në javë.”, u shpreh Abdixhiku.
“Fjalët tani humbin peshën. Asgjë çfarë themi sot nuk kthen prapa jetën e shuar të një gruaje të pambrojtur e jetën e pa nisur të një fëmije. Si prind e familjar ndjej dhimbje dhe mllef për humbjen e trishtë të kësaj mbrëmje. Si pjesë e spektrit politik, ndjej obligimin njerëzor për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas që ka marrë karakter nacional tashmë. Ky duhet të jetë misioni ynë parësor sot.
Ka diçka thellësisht të tmerrshme brenda shoqërisë sonë; dhe ne nuk mund të sillemi në cikël të njëjtë reagimi; nga dhuna në reagim, deri në fatalitetin tjetër. Na duhet një veprim kombëtar, nga policia tek prokuroria e gjyqësia, nga edukimi e mbështetja kolektive, për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas drejt e në rrënjë. Kosova mundet më ndryshe. Shoqëria jonë duhet të jetë më ndryshe.”, ka shtuar ai tutje.
Abdixhiku njëkohësisht ka kërkuar që organet e rendit të veprojnë me përgjegjësi dhe pa kompromis ndaj rastit të sotëm./FolDrejt/