Pas rastit tragjik që ndodhi në QKUK, ku u shua jeta e një 35-vjeçareje dhe foshnjës së saj, ka reguar edhe deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka drejtuar gishtin drejt mungesës së dënimeve kapitale për kriminelët.
Ajo, përmes një postimi në facebook, ka shkruar se ndihet e tmerruar me rastin e sotëm, vetëm pak ditë pas vrasjes makabre të mësueses 63-vjeçare.
“Jam e tmerruar me ngjarjen e sotme që po raportohet se një burrë ka vrarë gruan e tij shtatzënë. Ky rast është i dyti brenda pak ditësh kur edhe një mësuese u vra në mënyrë mizore. Gjithë këto krime po ndodhin pasi s’ka dënime kapitale për kriminelët. Gjykatat duhet të japin dënime maksimale për gjithë ata që bëjnë krime të tilla.
Në praktikë po ndodh e kundërta. Këto dy vrasje po ndodhin pak ditë pasi gjykata uli dënimin nga burgimi i përjetshëm në 35 vite burgim për vrasësin e Donjeta Pajazitajt. Vrasësi ishte recidivist. Kishte vrarë edhe një fëmijë për hakmarrje. Pse t’i ulet dënimi dikujt që është përsëritës i veprave penale?”, ka shkruar Bajrami.
“Të gjitha hallkat e shoqërisë duhet të reagojnë. Nga Parlamenti e deri te familja. Duhet angazhim gjithëkombëtar për t’i ndalë këto krime dhe për t’i dënuar kriminelët.”, ka shtuar ajo tutje./FolDrejt/