Komandanti i KFOR-it, Angelo Ristuccia, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Klan Kosova, me ç’rast ka folur rreth kërkesës së Serbisë për kthimin e ushtrisë, transmeton Fol Drejt.
Siç është shprehur Ristuccia, e vetmja brengë e tij kishte të bënte me mirëmbajtjen e situatës, teksa ka thënë se kishte qenë gati kur kishte ardhur kërkesa.
“E vetmja brengë e imja ishte që të mirëmbaj situatën po aq stabile, aq sa do të mund të bënim, për të mundësuar që të rifillojë dialogu, e kam pritur këtë kërkesë, sepse e kanë përmendur shumë herë këtë kërkesë dhe isha gati kur ka ardhur kërkesa”, ka thënë Ristuccia.
“Kemi analizuar, kemi shënuar dhe pastaj jemi përgjigjur dhe ua kemi bërë të qartë që KFOR-i është plotësisht i pajisur, i organizuar për të bërë mandatin e vet dhe natyrisht kemi edhe mekanizma për të rritur prezencën e trupave tona nëse përkeqësohet situata, pra ishim më se të qartë se ne ishim dhe jemi dhe do të jemi plotësisht të zotuar ndaj zbatimit të mandatit tonë”, është shprehur tutje Ristuccia.