Komiteti i Parlamentit Evropian (PEGA), i cili po heton përdorimin e softuerit spiun në një nga vendet e saj anëtare, tha të martën se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis është përgjegjës për skandalin e përgjimit që tronditi skenën politike të vendit verën e kaluar.
Në pyetjen nëse sheh lidhje me përdorimin e softuerit spiun Predator për mbikëqyrjen e politikanëve të rëndësishëm të vendit, gazetarëve dhe figurave të tjera publike, raportuesja e Komitetit, Sophie In’t Veldt tha: “Ajo që ne dimë me siguri është se sapo qeveria e tij mori pushtetin, ligji u ndryshua dhe EYP (Shërbimi Informativ Kombëtar i Greqisë) ra nën përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të kryeministrit”, përcjell Fol Drejt.
“Nëse e ka ditur, atëherë ne kemi një problem shumë serioz, nëse nuk e ka ditur atëherë është dashur të dinte, që është gjithashtu një problem serioz”, shtoi ajo.
Veldt tha se disa prova tregojnë se softueri spiun Predator i prodhimit izraelit u eksportua nga administrata greke qipriote në Sudan, ku dy palë janë në luftë, nëpërmjet një licence të lëshuar nga Greqia.
Komisioni Evropian ka detyrimin të hetojë dhe të insistojë në marrjen e të gjitha informacioneve, shtoi ajo.
Skandali i përgjimit
Më 8 gusht 2022, Mitsotakis pranoi se politikani i opozitës Nikos Androulakis ishte përgjuar nga Agjencia e Inteligjencës Greke, por mohoi të kishte njohuri për operacionin.
Skandali doli në sipërfaqe për herë të parë më 4 gusht, kur Panagiotis Kontoleon, në atë kohë kreu i EYP, deklaroi para Komisionit parlamentar se Agjencia e Inteligjencës kishte spiunuar gazetarin financiar Thanasis Koukakis.
Më 5 gusht, Kontoleoni, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të zyrës së kryeministrit, Grigoris Dimitriadis dhanë dorëheqjen./FolDrejt/