Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka njoftuar se Asambleja Komunale gjatë ditës së djeshme mori vendim që t’i shpallë “Qytetar Nderi” të Komunës së Malishevës tri personalitete.
Sipas kryetarit Kastrati, “Qytetar Nderi” i Komunës së Malishevës, janë shpallur këto personalitete:
- z. Xhemal Jashari, vëllai i Dëshmorit të Kombit Ismet Jashari – Komandant Kumanova, njëri ndër luftëtarët dhe komandantët më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që asokohe ishte bërë burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë në mbarë Kosovën.
- z. Skënder Sinani, vëllai i Dëshmorit të Kombit Tahir Sinani, ku me veprimtarinë dhe heroizmin e tij dhe gjithë familjes së tij sot ndihemi krenar të gjithë ne, gjithë Malisheva, gjithë Kosova dhe gjithë Shqiptaria.
- z. Shpëtim Idrizi, deputet në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, i cili mbrojti luftën e UÇK-së në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe bëri organizime brenda dhe jashtë Shqipërisë për promovimin dhe zgjidhjen e çështjes çame.
“Ceremoninë solemne të dhënies së çmimit “Qytetar Nderi” i Komunës së Malishevës, për këto personalitete të nderuara, do ta bëjmë pikërisht në seancën solemne që Komuna e Malishevës do të mbaj me rastin e shënimit të Festave të Nëntorit”, u shpreh Kastrati në Facebook./FolDrejt/