Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar akademikun Fehmi Agani, i cili u vra më 6 maj 1999 nga forcat ushtarake serbe.
“Profesor Agani ishte shtylla kryesore e artikulimit të interesave tona bazike politike, shtetërore e kombëtare në fund të shekullit XX. Mendimi i tij i thellë politik shërbeu si kornizë argumentative e aspiratave tona kolektive gjatë rezistencës madhështore paqësore të viteve ’90 të cilës i printe Presidenti Ibrahim Rugova. “, ka shkruar Konjufca në një postim ne Facebook.
“Së pari ai i shpjegoi në menyrë të pakundërshtueshme shkencore themelet shtypëse dhe pushtuese të dy Jugosllavive – asaj mbretërore si dhe “ngrehinës së AVNOJ-it”. Të dy këto konstrukte historike u ndërtuan mbi dy principe represive: a) hegjemonizmin serbomadh si doktrinë e dominimit antidemokratik mbi popujt tjerë; b) parcializimin e qëllimshëm të shqiptarëve në entitetet e federatës, duke ua mohuar atyre republikën, edhe pse shqiptarët ishin populli i tretë për nga popullsia. Prandaj thoshte se gjatë gjithë kohës Jugosllavia ishte një “surrogat dhe mashtrim”. Dhe siç e shpjegonte shumë bukur te libri i tij – ‘Demokracia, Kombi, Vetëvendosja’ – Jugosllavia u shemb “nën peshën e kontradiktave dhe mëkateve të veta”. “, ka shtuar Konjufca ndër tjerash.
Postimi i plotë i Konjufcës:
“Sot e kujtojmë me dhimbje si popull e si komb figurën e madhe intelektuale, patriotike e politike – Akademik Fehmi Aganin. Ai u vra mizorisht më 6 maj të vitit 1999 nga forcat ushtarake të shtetit serb. Ky ishte një krim brutal në mesin e shumë krimeve tjera të gjenocidit të Serbisë.
Profesor Agani ishte shtylla kryesore e artikulimit të interesave tona bazike politike, shtetërore e kombëtare në fund të shekullit XX. Mendimi i tij i thellë politik shërbeu si kornizë argumentative e aspiratave tona kolektive gjatë rezistencës madhështore paqësore të viteve ’90 të cilës i printe Presidenti Ibrahim Rugova.
Së pari ai i shpjegoi në menyrë të pakundërshtueshme shkencore themelet shtypëse dhe pushtuese të dy Jugosllavive – asaj mbretërore si dhe “ngrehinës së AVNOJ-it”. Të dy këto konstrukte historike u ndërtuan mbi dy principe represive: a) hegjemonizmin serbomadh si doktrinë e dominimit antidemokratik mbi popujt tjerë; b) parcializimin e qëllimshëm të shqiptarëve në entitetet e federatës, duke ua mohuar atyre republikën, edhe pse shqiptarët ishin populli i tretë për nga popullsia. Prandaj thoshte se gjatë gjithë kohës Jugosllavia ishte një “surrogat dhe mashtrim”. Dhe siç e shpjegonte shumë bukur te libri i tij – ‘Demokracia, Kombi, Vetëvendosja’ – Jugosllavia u shemb “nën peshën e kontradiktave dhe mëkateve të veta”.
Një nga kontributet e pashlyeshme politiko-intelektuale të profesor Aganit ishte argumentimi i të drejtës për vetëvendosje i popullit shqiptar në ish Jugosllavi. Shqiptarët në ish Jugosllavi ishin popull, prandaj këtij populli i takon të vendos lirshëm për fatin e vet politik kolektiv. Populli shqiptar e kishte aspiratën dhe vullnetin për vetëvendosje që shprehet me konsistencë prej Konferencës së Bujanit e deri te referendumi i shtatorit të vitit 1991. Prandaj i duhej vetëm mundësia për jetësimin e kësaj të drejte. Kjo mundësi, siç e dimë të gjithë, filloi si lëvizje gjithëpopullore paqësore, kurse gjatë vitit 1998 u kthye në luftë të armatosur çlirimtare kundër pushtimit serb.
Profesor Agani e shpjegonte shumë mirë relacionin historik dhe praktik të Serbisë ndaj shqiptarëve si “trajtim gjenocidal”. Ai shkruante:
“Për ta ndryshuar pozitën kushtetuese të Kosovës, që nuk mund ta bënte me mjete kushtetuese dhe, për ta integruar Kosovën në ‘Serbinë unike’, Serbia zgjodhi dhunën dhe arbitraritetin. Me tanke e brutalitet ajo theu autonomitetin e Kosovës, suspendoi të gjitha organet e saj legale, bëri çmos për dëbimin e tërësishëm të shqiptarëve nga jeta publike, ndërmori dëbimin masiv të shqiptarëve nga puna, bllokoi të gjithë institucionet arsimore e kulturore të jetës shqiptare dhe, mbi të gjitha, zhvilloi një politikë të represionit brutal e të pandërprerë kundër shqiptarëve. Dhe të gjitha këto bëhen në funksion të realizimit të qëllimit të proklamuar publikisht dhe esencialisht gjenocidal, të programit të ndërrimit të strukturës etnike të Kosovës”.
Në anën tjetër profesor Agani e mbronte qëndrimin se liria dhe pavarësia e Kosovës ndikojnë esencialisht në dy procese progresive për Evropën. Së pari e demokratizojnë Serbinë dhe, së dyti, e stabilizojnë rajonin, duke sjellë paqe e qetësi dhe mundësi për zhvillim.
Argumentet e Fehmi Aganit për domosdoshmërinë e lirisë kolektive të shqiptarëve janë të panumërta si dhe kërkojnë studime sistematike shkencore, universitare e akademike më të thelluara. Dhe angazhimi i tij për realizimin e të drejtave tona ishte i gjithanshëm. Ai nuk u ndal për asnjë moment. Prandaj Serbia u përpoq ta ndalte duke e vrarë. Por nuk ia doli dot. Sepse profesor Agani është përjetësuar në lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë. Vepra e tij e gjallë dhe kontributi i tij i madh, do të jenë amanet i përhershëm i brezave që vijnë.
Lavdi jetës dhe veprës së akademik Fehmi Aganit!”