Koreja e Veriut ka akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres për një “qëndrim jashtëzakonisht të padrejtë dhe të pabalancuar të shprehur në lidhje me testet e fundit të raketave të Phenianit, sepse, sipas saj, një qëndrim i tillë injoron sjelljen armiqësore të Shteteve të Bashkuara.
Njoftimi i sotëm i Phenianit zyrtar përkoi me manovrat trepalëshe ushtarake, detare kundërajrore SHBA-Kore e Jugut-Japoni pranë Gadishullit Korean, të cilat Koreja e Veriut e interpreton si sjellje provokuese, raporton AP.
Pas testit të së shtunës nga Koreja e Veriut të një rakete balistike ndërkontinentale, të cilën Guterres e dënoi ashpër, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i bëri thirrje përsëri Koresë së Veriut që të heqë dorë menjëherë nga çdo provokim i ri, transmeton Fol Drejt.