Futbollisti i Arsenalit, Granit Xhaka pritet të zgjasë qëndrimin e tij në klub dhe bisedimet tashmë janë zhvilluar për një kontratë të re, raporton mediumi sportiv 90min.
Futbollisti kosovar, reprezentues i Zvicrës, ka qenë në formë të mirë në Arsenal gjatë dy sezoneve të fundit.
Ai dukej se po shkonte drejt largimit nga klubi pasi sulmoi tifozët në një barazim 2-2 në shtëpi ndaj Crystal Palace në tetor 2019, duke iu hequr më pas edhe shiriti i kapitenit.
Një lëvizje në Hertha Berlin ishte e përfolur gjatë janarit, por Mikel Arteta e bindi Xhakën të ndryshonte mendje dhe të qëndronte në klubin ku iu bashkua nga Borussia Monchengladbach në vitin 2016.
30-vjeçari e ka çimentuar statusin e tij si një nga mesfushorët më të mirë në Premier League – duke luajtur një rol kyç në ngirtjen e skuadrës në tabelë, vend ku pritet ta fitojë titullin e Premier Leagues, nëse nuk ndryshon diçka deri atëherë. Burimet kanë konfirmuar për 90min se Xhaka dëshiron të zgjasë qëndrimin e tij në Emirates Stadium, transmeton Fol Drejt.
Në të vërtetë, Arsenali tashmë ka zhvilluar bisedime me Xhakën për një marrëveshje të re. Kontrata aktuale e Xhakës skadon në verën e vitit 2024, megjithëse Arsenali ka një opsion për ta zgjatur edhe një vit tjetër kontratën me të. Shpresohet që negociatat të mund të përfundojnë mjaft shpejt pasi ka një vullnet nga të dyja palët për të rënë dakord për kushtet.
Arteta ka dhënë gjithashtu vulën e tij të miratimit për një lojtar që është afër 300 paraqitjeve për Arsenalin në të gjitha garat. /FolDrejt/