Kosova është pranuar në Asociacionin e Sporteve të Doganave Evropiane.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, e cila ka njoftuar se presidenti i këtij Asociacioni, Jan Hlinka, ka informuar dje ambasadën në Bruksel për anëtarësimin e Kosovës në ECSA.
“Kam kënaqësinë e madhe t’ju informoj se në Mbledhjen e Përgjithshme të Asociacionit të Sporteve të Doganave Evropiane, është miratuar aplikacioni i Kosovës për anëtarësim. Jam i kënaqur të mirëpres Doganën e Kosovës në familjen tonë”, ka thënë Hlinka.
“Me Republikën e Kosovës si anëtaren më të re, ECSA numëron 24 anëtarë: Austri, Belgjikë, Republika Çeke, Qipro, Danimarkë, Finlandë, Francë, Gjermani, Hungari, Irlandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Holandë, Norvegjia, Polonia, Sllovakia, Suedia, DG Taxud, Turqi dhe Mbretëri e Bashkuar. Qëllimi i ECSA është të forcojë lidhjet midis administratave doganore evropiane duke inkurajuar dhe organizuar aktivitete të përbashkëta sportive, duke promovuar bashkëpunimin sportiv dhe kulturor, si dhe mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet zyrtarëve doganorë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë./FolDrejt/