Me rastin e ditës botërore të mësuesve dhe duke u lidhur me situatën e krijuar në sektorin e arsimit në Kosovë, një urim ka ardhur nga i pari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në facebook, Krasniqi ka uruar mësimdhënësit në ditën ndërkombëtare të tyre duke u premtuar përkrahje të përhershme, transmeton Fol Drejt.
Duke e konsideruar festë të vjedhur për mësimdhënësit e Kosovës, Krasniqi tha se kjo ditë i gjeti mësimdhënësit tanë të vuajtur, me paga aspak dinjitoze në krahasim me realitetin e ri dhe, më e keqja, të shtypur e të penalizuar.
Ai nuk ka lënë pa përmendur as Qeverinë e kryeministrin, të cilët i ka cilësuar aspak miqësorë e empatikë me sektorin e arsimit.
Mësimdhënia është akti më i lartë i optimizmit sipas Krasniqit, ndaj në postimin e tij ai ka shfrytëzuar rastin t’i bëjë thirrje Qeverisë që t’i ekzekutojë pagat për mësimdhënësit./FolDrejt/
Postimi i plotë i Memli Krasniqit:
Festë e vjedhur për mësuesit tanë!
Sot, në botë, festohet Dita e Mësuesit, e vendosur nga 5 tetori i vitit 1994, për të falënderuar dhe nderuar mësuesit për kontributin e tyre ndaj gjeneratave të reja.
Fatkeqësisht, kjo ditë, që do të duhej të ishte festë edhe në Kosovë, mësuesit tanë i gjenë të vuajtur, me paga aspak dinjitoze në krahasim me realitetin e ri dhe, më e keqja, të shtypur e të penalizuar.
Sot, si asnjëherë më parë, mësimdhënësit kosovarë kanë një Qeveri aspak miqësore e empatike me ta dhe një Kryeministër të cilit nuk i intereson mirëqenia e as kontributi i tyre historik.
Mësimdhënia është akti më i lartë i optimizmit. Kjo Qeveri, me ose pa vetëdije, po e vret atë, duke rrënjosur pesimizmin e dëshpërimin në zemrat e mësimdhënësve dhe nxënësve.
Ftoj Qeverinë edhe një herë që, përveç ekzekutimit të pagave të shtatorit për mësimdhënësit, sa më parë të sjellë në Kuvend Ligjin për Pagat, sepse mësuesit tanë meritojnë një trajtim dinjitoz.
Ndërkaq, për punën e përkushtimin e tyre të vazhdueshëm, u dërgoj falënderimet më të përzemërta të gjithë mësimdhënësve kosovarë.
Mos u dëshpëroni! Dje, sot, nesër – jemi me ju!
Faleminderit për kontributin tuaj të çmuar dhe urime Dita e Juaj!