Partia Demokratike e Kosovës sonte ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së.
Siç njofton kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, reformat brenda partisë, vendimet dhe qëndrimet në raport me aktualitetin, sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe, posaçërisht, situata e krijuar në pjesën veriore të vendit dhe dialogu Kosovë – Serbi, ishin temat për të cilat u diskutua në Këshill, transmeton Fol Drejt.
“Në përgjithësi, në kontekstin e qeverisjes, viti 2022 ka qenë një vit i krizave të njëpasnjëshme dhe keqqeverisjes së përsëritur. Rrjedhimisht, kemi pasur gjendjen më të rëndë ndonjëherë në shumë sektorë, e specifikisht në shëndetësi, ekonomi, energji, siguri e diplomaci.
Një vit i thyer, i humbur, i dështuar, e që, fatkeqësisht, nuk po shihet akoma nga Pallati i Ëndrrave ku janë mbyllur e po lavdërojnë njëri-tjetrin asgjëbërësit e veshur me pushtet.
Megjithatë, kjo tashmë nuk është asgjë e re nga fronti i fjalamanëve.”, ka thënë Memli Krasniqi.
Krasniqi, ka vlerësuar se dy janë prioritetet shtetërore që sipas tij kërkojnë urgjencë, maturi dhe lidership: Barrikadat në pjesën veriore të Kosovës dhe dialogu me Serbinë.
“Për të dyjat, si çdo herë, unë dhe PDK e vendosim Kosovën të parën, duke i mbështetur proceset dhe veprimet e duhura.
Për të parën kërkojmë reagim dhe veprim institucional për t’i hequr menjëherë barrikadat e grupeve kriminale, të instrumentalizuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si tentim i tij për ndarjen e Kosovës. Në këtë pikë, i ofrojmë mbështetjen e plotë Qeverisë.
Për të dytën, marrëveshjen finale Kosovë – Serbi, kërkojmë maturi e lidership, për çka edhe kemi ofruar propozimin tonë për pesë rezultatet që duhet të jenë shtyllat bazë të kësaj marrëveshjeje: Ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës sipas rregullimit aktual kushtetues; njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së; nisja e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe” si hap i parë; marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”, ka shtuar tutje Krasniqi.
I pari i PDK-së njëkohësisht ka treguar edhe reformat që ka ndërmarrë PDK dhe vendimet të cilat sipas tij e kanë fuqizuar dhe rritur këtë parti, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
“Në kuadër të reformave të brendshme, si PDK kemi ndërmarr një numër të vendimeve të cilat kanë fuqizuar dhe rritur partinë brenda dhe jashtë Kosovës.
Kemi marrë vendimin për barazi të plotë gjinore në struktura dhe vendimmarrje – 50/50, rinisë i kemi dhënë zë, përmes një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës dhe demokratik, kemi gati për të përmbyllur Kabinetin për Qeverisje të Mirë, ndërsa Komisioni për Organizimin e PDK-së në Mërgatë ka bërë një punë të shkëlqyeshme në rritjen dhe shtrirjen e PDK-së në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.
Në kontekstin e jashtëm, PDK është pranuar me të drejta të plota në Rrjetin e Liberalëve të Evropës Juglindore (LIBSEEN) dhe në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratike të Evropës (ALDE). Ky është një hap i madh drejt përqafimit të vlerave evropiane dhe rikonfrimim i njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti.”, ka shtuar Krasniqi në postimin e tij./FolDrejt/