Në 24-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se epilogu i luftës për çlirimin e Kosovës është shembulli më konkret se miqësia me aleatët ndërkombëtarë, posaçërisht ShBA-në, është ndërtuar mbi gjak e histori, raporton Fol Drejt.
“24 vite më parë, me 9 qershor 1999, Millosheviçi dhe Serbia u dorëzuan para luftës çlirimtare të UÇK-së dhe bombardimeve të NATO-s, duke u detyruar që të nënshkruajnë marrëveshjen e Kumanovës – për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova.”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Krasniqi theksoi se ky epilog i luftës për çlirimin e Kosovës, është dëshmia më e madhe dhe shembulli më konkret, se aleanca dhe miqësia jonë, si popull dhe si shtet, me aleatët tanë ndërkombëtarë, posaçërisht ShBA-në, është ndërtuar mbi gjak e histori.
Ai shtoi se ky bashkëpunim, me UÇK-në në tokë dhe NATO-n në ajër, i dha fund një regjimi gjenocidal serb në Kosovë dhe jetësoi ëndrrën e dhjetëra brezave për liri.
“Bashkë, si miq dhe aleatë, do të angazhohemi në përmbushjen e të tjera synimeve dhe ëndrrave për vendin tonë – siç është anëtarësimi në BE, NATO dhe OKB.
Përjetësisht mirënjohës!”, u shpreh në fund Krasniqi. /FolDrejt/