Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë me dije se ka përmbyllur Javën e Pavarësisë në Zvicër, teksa ka shprehur mirënjohjen ndaj kontributit të mërgatës për Kosovën.
“Jashtëzakonisht i nderuar që Javën e Pavarësisë e përmbylla aty ku ndjehem si në shtëpi, mes vëllezërish e motrash – në një manifestim madhështor të mërgatës sonë në Zvicër, e cila që në ditët më të vështira për Kosovën i ka kontribuar mbijetesës sonë si popull, e tani edhe si shtet.
Dega e PDK-së në Zvicër, e drejtuar nga kryetari Ragip Xhaka, na emocionuan me organizimin dinjitoz për festën e pavarësisë së shtetit tone”, është shprehur Krasniqi në një postim në Facebook.
Tutje, ai ka thënë se në 15 vite të ekzistencës së Republikës së Kosovës, me ndihmën e aleatëve Kosova ka bërë hapa të mëdhenj, kanë ndërtuar institucione dhe vendosur themelet e një shteti modern, “që orientimin e ka në Evropë, e frymëzimin e merr nga Amerika, por ndihma dhe mbështetja më e veçantë ka ardhë nga mërgata jonë, që dashurinë e angazhimin për Kosovën e ka të pakusht e të pandalshëm”, ka theksuar Krasniqi.
“E përderisa po ecin vitet e shtetit tonë të lirë, rrugëtimi jonë drejt Kosovës së ëndrrave tona, ende nuk ka përfunduar. Andaj, duke qenë së bashku si bashkëkombës e bashkëpartiakë, do të punojmë pareshtur për ta rikthyer vendin në binarët e sigurt të zhvillimit dhe të perspektivës për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Uroj shumë që çdo ditëlindje e shtetit tonë, të jetë edhe ditëlindje e një Kosove më të qeshur, më të hapur, më të drejtë e më të dashur për gjithsecilin.
Faleminderit për pritjen e ngrohtë!”, ka shtuar ai në postimin e tij./FolDrejt/