Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njoftoi se sot në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), priti ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.
Për këtë ai njoftoi përmes një postimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kam pritur Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, të shoqëruar nga Jeeni Laakso nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe Annina Peltonen nga Fondacioni për Paqe “Marti Ahtisaari” (CMI).
Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe situtatën aktuale politike, pas pranimit të propozimit evropian nga Kryeministri Kurti në Bruksel dhe dakordimit për aneksin e zbatimit të tij në Ohër.
Për ne, kjo marrëveshje, e cila nuk është as finale e as gjithëpërfshirëse dhe që heq dorë nga njohja e ndërsjellë, është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për të përmbyllur konfliktin e ngrirë prej dekadash me Serbinë.
Kjo marrëveshje, mbi të gjitha, është rezultat i gabimeve të vazhdueshme të Kryeministrit Kurti dhe nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare.
Mysafirët i falënderova për vizitën dhe mbështetjen konstante që Finlanda ka dhënë për Republikën e Kosovës”, u shpreh Krasniqi./FolDrejt/