Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, njoftoi sot rreth dy projekteve të cilat pritet të realizohen në Gjakovë.
Për këtë njoftoi ai përmes një postimi në Facebook pas një konference të përbashkët për media me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliun, përcjell Fol Drejt.
“Realizimi i dy projekteve madhore në aspektin strategjik në Komunën e Gjakovës tashmë ka filluar!
Në vijim mund të gjeni adresimin tim para medieve në konferencën e mbajtur sot.
Të nderuar gazetarë të pranishëm,
Kemi ftuar këtë konferencë për t’iu njoftuar se për dy projektet madhore për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë kemi pranuar dritën jeshile.
Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes, dhe Babaj i Bokës do të shndërrohet në zonën operacionale të FSK-së në të cilën do të ndërtohen Poligone Taktike moderne sipas standardeve të NATO-s.
Dëshiroj që fillimisht ta falënderoj Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor, z.Liburn Aliu për mbështetjen maksimale në krijimin e kushteve për investime strategjike në këto dy zona, duke mundësuar që me procedura të përshpejtuara të shpronësohen të gjitha zonat kadastrale në interes për realizimin e këtyre projekteve, si dhe të pajisemi me certifikata pronësie, si parakusht për investime jo vetëm nga ana jonë, por edhe nga partnerët tanë strategjik.
Kjo formë e bashkëpunimit në mes të dy ministrive tregon qartë se prioriteti ynë është zhvillimi dhe avancimi i Ushtrisë së Kosovës, që mundëson integrim edhe më të shpejtë në NATO.
Synimi jonë si Ministri e Mbrojtjes, është rritja e kapaciteteve trajnuese për Forcën e Sigurisë së Kosovës, andaj dhe investimi në këto dy projekte infrastrukturore do të bëhet në bashkëpunim me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Investime milionëshe me profesionistë të fushës, për të garantuar që ushtria jonë do të ketë të gjitha kushtet për zhvillimin e trajnimeve me kapacitete të plota mbrojtëse. Për ushtri që do të jetë kontribuese në ruajtjen e paqes jo vetëm në vend, rajon por edhe më gjerë.
Tani më lejoni të ju informoj shkurtimisht në lidhje me natyrën e investimeve në Babaj të Bokës dhe në Aeroportin e Gjakovës si dhe funksionin që do kenë.
Poligonet Taktike në Babaj të Bokës do të jetë një poligone moderne të dizajnuara dhe projektuar nga Oficerët dhe Nënoficerët tanë kompetent, dhe të cilët do të ndërtohen sipas standardeve të Ushtrisë Amerikane dhe të NATO-së.
Këto poligone taktike do të jenë në funksion jo vetëm të Ushtrisë së Kosovës por edhe të aleatëve tanë strategjik.
Ndërsa në Aeroportin e Gjakovës planifikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme për qëllime operacionale, e në të cilën projekt në mënyrë direkte do të investojnë edhe partnerët tanë strategjik.
Përmes këtij projekti jo vetëm që ruajmë asetet e aeroportit por dhe do e funksionalizojmë dhe modernizojmë atë.
Dua të theksoj se nga dyfishimi i numrit si ushtri, brenda dy viteve kemi shumëfishuar vlerën e buxhetit të investuar në përgatitjen profesionale të ushtarakëve e në blerjen e armatimeve, ndërsa po vazhdojmë në investimet infrastrukturore që FSK të jetë ushtri e gatshme për të shërbyer në çdo mission të NATO-s.
Gjithsesi dua të falenderoj partnerët tanë strategjik.Kosova nuk do të ishte e njejtë pa mbështetjen e tyre.
Ndërsa për projektet në fjalë, dua të falenderoj veçanërisht Zyren pë Bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes që funksionon në kuadër të Ambasadës Amerikane, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe kontributin që po e ofrojnë në realizimin e këtyre dy projekteve.
Ju faleminderit!”, u shpreh Mehaj./FolDrejt/