Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka njoftuar se, në kuadër të vizitës së tij në SHBA, ka zhvilluar një takim tjetër me Adi Muzurovic, drejtorin për Ballkanin dhe Evropën Qëndrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare (NSC).
Krasniqi ka falënderuar drejtorin Muzurovic për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në garantimin e sigurisë në Kosovë.
“Bashkë diskutuam edhe në lidhje me zhvillimet aktuale politike, posaçërisht për dialogun Kosovë – Serbi. Unë ritheksova edhe një herë qëndrimin e PDK-së për pesë shtyllat që duhet të dalin nga marrëveshja eventuale, të cilat, përveç ruajtjes së karakterit unitar të shtetit sipas rregullimit aktual kushtetutes, përfshijnë edhe njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve, si rezultat i domosdoshëm i këtij procesi”, tha Krasniqi në një postim të tij në facebook.
“SHBA-të kanë qenë një aleat i besueshëm dhe pazëvendësueshëm përgjatë ngritjes së shtetit tonë, andaj, fuqizimi i bashkëpunimit dhe koordinimi i mëtutjeshëm në këtë periudhë të sfidave të kohës, është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë”, shtoi ai tutje./FolDrejt/