Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se mercenarët amerikanë të kapur në zonën e luftimit në Ukrainë, nga forcat rebele të rajonit Donetsk, mund të ekzekutohen.
“Ne po flasim për mercenarë që kërcënuan dhe cenuan jetën e ushtarëve tanë. Dhe jo vetëm tanët, por edhe ushtarët e Republikës Popullore të Donetskut (DPR) dhe Republikës Popullore të Luhanskut (LPR). Kjo është ajo për të cilën ata akuzohen, se janë mercenarë”, tha Peskov, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Peskov kujtoi se kushtet e Konventës së Gjenevës për të Burgosurit e Luftës nuk zbatohen për mercenarët dhe shtoi se fati i robërve do të përcaktohet nga një gjykatë e Republikës Popullore të Donetskut.
“Ne nuk mund të përjashtojmë asgjë, (përfshirë dënimin me vdekje), sepse është një vendim gjykate. Ne kurrë nuk i komentojmë ato dhe për më tepër nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në vendimet e gjykatës”, tha Peskov.
Javën e kaluar, mediat britanike pretenduan se dy amerikanë, Alexander Drueke dhe Andy Huynh, u kapën pranë qytetit ukrainas Kharkiv.
Rusia nuk i ka konfirmuar, por as nuk i mohuar raportet.
I pyetur nëse Kievi kontaktoi Moskën për rifillimin e bisedimeve të paqes pas takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, Peskov u përgjigj negativisht.
“Jo, nuk ka pasur (përpjekje për të rifilluar bisedimet)”, tha ai.
Mbi 4.500 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës me Rusinë më 24 shkurt.
Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), mbi 14 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, përfshirë mbi 7.7 milionë që kanë ikur jashtë vendit./FolDrejt/