Kryeministri britanik, Boris Johnson njoftoi për rritje të shtuar të vaksinimit me dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19, në mënyrë që qytetarët të mbrohen nga përhapja e varantit të ri, Omicron.
Sipas Johnsonit, vendi mund të ballafaqohet me valë të jashtëzakonshme të infektimeve nga ky variant.
Nëpërmes një fjalimi televiziv, Johnson tha se secilit nga mosha 18-vjeçare do t’i ofrohet mundësia të vaksinohet me dozën e tretë deri në fund të dhjetorit. Synimi kryesor i Qeverisë britanike për vaksinim masiv me dozën e tretë, ishte fundi i janarit.
Në fjalimin e tij, Johnson tha se varianti i ri, i cili përhapët me shpejtësi të madhe po ndikon në dyfishimin e numrit të të infektuarve. Për ta parandaluar, “mision kombëtar” siç tha ai është që sa më shumë njerëz të vaksinohen me dozën e tretë.
Shkencëtarët britanikë besojnë se vaksinat ekzistuese janë më pak efektive në parandalimin e infektimit tek njerëzit e ekspozuar ndaj Omicronit. Disa studime preliminare treguan që efekti i vaksinës shtohet mes 70-75 për qind, pas dozës së tretë.
Më 12 dhjetor, Qeveria britanike po ashtu ngriti nivelin e rrezikut nga përhapja e koronavirusit, për shkak të variantit Omicron./REL