Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 5-vjetorit të ndarjes nga jeta të veprimtarit dhe intelektualit, Adem Demaçi bëri sot homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tij, transmeton Fol Drejt.
Kryeministri bëri të ditur se sot, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufcën, me zëvendësin e bacës Adem si përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së në Prishtinë e vitit 1998-1999, ish të burgosurin politik Skënder Kastrati dhe kolegun e tij nga zyra e UÇK-së, Milot Cakajn, vendosen lule të freskëta në përkujtim të një figure aq të jashtëzakonshme saqë unike të kombit shqiptar.
‘’Sot u mbushën pesë vjet kur baca Adem shkoi në amshim dhe sigurisht që kemi pikëllim dhe mallëngjim që nuk e kemi më bacën Adem por edhe kemi krenari e mirënjohje që e patëm dhe e njohëm, që punuam dhe mësuam prej tij’’, veçoi kryeministri.
Jeta dhe vepra e bacës Adem, idetë dhe udhëzimet tij, shtoi më tej ai, na mbushin me përgjegjësi dhe vetëbesim njëkohësisht.
Deklarimi i plotë:
Vendosëm lule të freskëta dhe bëmë nderime te varri i Adem Demaçit këtu në Prishtinë, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufcën, me zëvendësin e bacës Adem si përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së në Prishtinë e vitit 1998-1999, ish të burgosurin politik Skënder Kastrati dhe kolegun tim nga zyra e UÇK-së, Milot Cakajn në përkujtim të një figure aq të jashtëzakonshme saqë unike të kombit shqiptar.
Sot u mbushën pesë vjet kur baca Adem shkoi në amshim dhe sigurisht që kemi pikëllim dhe mallëngjim që nuk e kemi më bacën Adem por edhe kemi krenari e mirënjohje që e patëm dhe e njohëm, që punuam dhe mësuam prej tij. Jeta dhe vepra e bacës Adem, idetë dhe udhëzimet tij na mbushin me përgjegjësi dhe vetëbesim njëkohësisht.
Faleminderit!