Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 41-vjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës nga shërbimi sekret i Jugosllavisë.
Kurti ka ngritur lart këto figura, duke përmendur se pikërisht aktiviteti i tyre për më shumë liri, për liri të plotë për shqiptarët, për çlirimin e Kosovës ka qenë arsyeja e atentatit nga autoritetet serbe.
“Profili i Jusuf Gërvallës është ai i një personaliteti kompleks, i një gazetari dhe aktivisti, i një poeti dhe këngëtari, si dhe i një patrioti që formimin e tij intelektual e përktheu në aktivitet politik, thellësisht politik. Ashtu siç edhe ai i Kadri Zekës, gazetarit dhe poetit, që artikuloi edhe në teza politike aktivitetin e tij dhe të shokëve të tjerë, në organizatat politike ilegale të kohës”, ka shkruar Kurti.
“Jusufi na ka lënë shumë këngë bashkë me vëllain e tij Bardhoshin që ende dëgjohen dhe këndohen, siç na ka lënë dhe një trashëgimi letrare origjinale që vazhdon të lexohet dhe studiohet. Por mbi të gjitha, ai i ka lënë trashëgimi historisë moderne të Kosovës dosjen e tij, që nuk është vetëm dosja e vetë Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut, por është edhe dosja e një kohe kur Serbia shtypte dhe diskriminonte shqiptarët mbi baza etnike, burgoste, përndiqte dhe vriste ata që kishin guxim qytetar dhe vullnet politik për të kundërshtuar politikat e saj dhe për t’u ngritur kundër gjendjes së shqiptarëve në Jugosllavi.
Lavdi Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, mes dëshmorëve që vepruan deri në vdekje për lirinë e Kosovës!”, shtoi ai tutje./FolDrejt/